Adriana Matoshi ka qenë një ndër personazhet më të përfolura ditëve të fundit.
Ndonëse sukseset e saja janë panumërta, madje pikërisht në natën e tredhjet e një tetorit ajo kishte fituar çmimin e aktores më të mirë në festivalin e filmit “Mostra de Valencia” në Spanjë, Adriana Matoshi u bë cak i sulmeve e fryrjeve në rrjetet sociale, por edhe nga ana e mediave.
E ky sulm shpërfaqi edhe një herë një nga anët e errëta të shoqërisë, racizmin e ndërtuar mbi baza etnie e ngjyre.
Aktorja Adriana Matoshi gjatë këtij diskutimi pohoi se e dinte se lidhja e saj o të zgjonte kureshtje, mirëpo nuk ja kishte marrë mendja që do të bënte një bujë kaq të madhe.
Ajo madje përmendi edhe kohën kur lojtarët Anglez nuk u mirëpritën mirë në Ballkan, e pikërisht në atë kohë secili ndihej krenar për faktin që kosovarët nuk janë një popull racist, por nuk e mendonte që do vinte ku si pasojë e racizmit do të gjykohej për zgjedhjen e saj personale.
“Pak a shumë ma ka marr mendja që ka me zgju kureshtje, sidomos tek portalet, por nuk ma ka marr mendja që një dalje e imja publike për lidhjen time personale ka me marrë bujë kaq të madhe dhe ka me u përfolë kaq shumë tek njerëzit. Më herët kur ka luajtur Anglia me Kosovën futboll në Prishtinë e di që është bërë një hallakam e madhe sa i përket racizmit dhe se nuk janë pritur mirë në ballkan, dhe janë ndje aq mirë që ne si popull nuk jemi racista. Por, kur dola unë për një sen personal veç u ngulfata, nuk ma ka marrë mendja qaq shumë që ka me shku deri diku ku se kam pritë”, theksoi Matoshi.
Aktorja ndër të tjera theksoi edhe fjalët e mira që ka marrë gjatë kësaj kohe. Sipas saj përderisa kishte të bënte me ndjenjat e saja, miratimin e prindërve dhe fëmijëve të saj, si dhe përderisa tashmë kishte lindur një dashuri mes dy personash, atëherë nuk i bënte keq askujt.
“Kam pasur përkrahje edhe prej njerëzve të ndryshëm, prej njerëzve edhe të mëdhenjë. Mesazhet që vini gjatë kësaj kohe ishin si me ma zanë frymën, se unë nuk disha a është mirë, a është keq. Por, duke u nis prej ndjenjës tem, prej shpirtit tem dhe kur i kam analizu dhe jam ulë me mendu mirë se çka kam bërë. Unë kamë rënë dakord me familjen time, me prindërit e mij, me fëmijët e mij, me veten time, edhe kam thënë kërkujna keq nuk i kam bërë. Unë jam duke e dashtë një njeri edhe ai është duke më dasht mu dhe përderisa dy vetë duhen nuk ka asnjë të keqe”, tha Adriana Matoshi.
Përgjatë këtij debati Matoshi shpjegoj se për të nuk ka qenë e lehtë të përballet me diçka që nuk e kishte imagjinuar ndonjëherë se do ti ndodhte.
Ajo foli edhe për faktin se si për një moment nëna, aktorja por edhe personi i thjeshtë në rrugë ishte shuar e shndërruar brenda një dite në një objekt bullizmi.
“Nuk ish aspak e lehtë me u përballë me diçka që nuk e kisha imagjinu, nuk është lehtë kur ti nuk i ke bo kërkujt keq, nuk e ke mendu për asnjë njeri keq diçka ose nuk e le lëndu, as nuk ju ke përzi kërkujt në familje, as nuk ke shkatërru dikë. Dhe për një moment prej të gjithë atyre lëvdatave që i kam pas si aktore, si nënë, si person i thjeshtë në rrugë, për një moment krejt qajo Adriana e mirë që jam kon për ton jetën për një ditë u shu komplet. Nuk o shu te unë absolutisht se unë e kam cekë një lidhje mu nuk më ka bo as ma te mirë as ma të keqe mu më ka bo veç ma të lumtur edhe nuk kam mendu qe ka me i pengu dikujt lumturia jeme deri në atë pikë”, vazhdoi tutja aktorja.
Ndërkaq për panelistin , si dhe psikologun Fitim Uka ishte e rëndësishme realizimi i një debati të tillë, për një ngjarje të tillë që vë në pah atë se çka ne jemi si shoqëri. Sipas tij ajo se çka ka përjetuar aktorja është reflektimi i sjelljes tonë në mjediset familjare dhe edukimin racist që ju bëjmë brezave të rijnë.
“Është mirë që është realizu një debat i tillë sepse jemi lodhë prej debateve politike që na nxjerrin të mirë para ekraneve, por mandej bie një ngjarje e tillë dhe e kuptojmë se kush jemi në realitet. Me thanë të drejtën unë kisha dasht me i kërku falje Adrianës, për shkak që mendoj se jemi bashkëfajtor për atë që ka ndodhë sepse në një mënyrë apo tjetrën në mjediset tona familjare, në mënyrën se si ne sillemi dhe i përbrendësojmë disa norma e parime të caktume ne i kemi eduku brezat e rijnë që me qenë kaq racist, aq racist sa që ndërhyjnë edhe në jetën personale të dikujt deri në masën që do të jenë kriteret tona ato që duhet të përcaktojnë se kush duhet ta takojë dikë, apo kush duhet të lidhet emocionalisht me dikë tjetër.” tha Uka.
Sipas psikologut ne si shoqëri kemi tendencën që të paragjykojmë personat e gjërat që i cilësojmë të huaja, madje edhe ti portretizojmë si inferiore.
E sipas tij pikërisht ky inferioritet përbën edhe thelbin e racizmit tonë.
“Përderisa jam i bindur që ne edhe në mjediset tona familjare shpesh herë edhe në shkollë por të motivum edhe prej mediave i promovojmë disa prej roleve, modeleve të cilat janë raciste edhe ksenofobe për shkak se e kemi këtë tendencën se ajo që është e huaj, ajo që është e ndryshme prej nesh gjykohet aq vrazhdë sa të tingëllojë dhe të portretizohet si inferiore ky është thelbi i racizmi, pra ne e kemi tendencën që çfarëdo individi grupi të caktuar në momentin kur ata nuk ngjasojnë me një ‘unë nuk jam krejt identik’ ti quajnë më inferiorë”, shtoi panelisti.
Tutje Fitim Uka ka thënë se janë pikërisht personat që i kanë ofruar Adriana Matoshit mbështetje ata që duhet të promovohen në media. Sipas tij ne si shoqëri kemi tendencën që të qeshim me shakatë raciste e t’ju japi edhe hapësire në televizion duke mos menduar pasojat.
“Dua të besoj që të gjithë ata njerëz që i kanë ofru ndihmë dhe mbështetje Adrianës janë ata që duhet të promovohen në media, janë ata që duhet të promovohen në kuadër të shoqërisë sepse ndonjëherë ne kemi tendencën që të qeshim me këto shakatë që janë raciste, si dhe kemi tendencën që t’ju japim hapësirë në televizion duke i promovuar në kuadër të shoqërisë dhe nuk e kuptojmë se si shpërndahen këto paragjykime kështu që është mirë me ju thonë mjaft qysh tash në mënyrë që mos me e pagu ma shrejntë në të ardhmen”, pohoi Uka.
Udhëheqësja e këtij debati aktorja Aurita Agushi përgjatë këtij diskutimi përmendi edhe faktin që pikërisht në natën kur Adrana Matoshi ishte bërë cak i sulmeve dhe i fyerjeve në rrjetet sociale, por edhe kryeqendra e artikujve të mediave, ajo kishte fituar edhe çmimin aktores më të mirë në festivalin e filmit “Mostra de Valencia” në Spanjë.
E për Matoshin marrja e këtij çmimi, ndryshe prej çmimeve tjera nuk i kishte bërë aq shumë përshtypje pikërisht për faktin që ndonëse puna e saj profesionale po ecte si mos më mirë, ishin pikërisht njerëzit që dikur i thurnin lavde, tashmë i ishin kthyer kundër dhe përqonin mesazhe negative për aktoren.
Sipas saj është fatmirësi prezenca e njerëzve të mirë, të cilët kanë parë e kanë jetuar mjaftueshëm që të mos bëjnë paragjykime të tilla.
Përgjatë këtij debati u zhvillua edhe një diskutim me të pranishmit në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, ku dhe u morën perspektiva të ndryshme rreth kësaj çështjeje. Debati “Racizmi dhe rrjetet sociale” është mbështetur nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës.