Ermali trazon rrjetin, çfarë i tha Mimoza Ahmetit pas hyrjes në Ferma VIP? (Video)

ShowBizi

Nata e mbrëmshme në shtëpinë e “Ferma VIP” ka sjellë një dinamikë të re për konkurrentët që ndodhen në fazën finale të garës.

Kur kanë mbetur edhe pesë ditë nga nata përmbyllëse e këtij edicioni, produksioni ka mundësuar një takim të shkurtër mes fermerëve dhe tre opinionistëve të spektaklit.

Ermal Mamaqi, Einxhel Shkira dhe Armina Mevlani kanë hyrë brenda ambienteve të fermës për të bashkëbiseduar me banorët mbi rrugëtimin e tyre dhe zhvillimet e fundit.

Përtej diskutimeve të zakonshme dhe analizave të lojës, vëmendjen e shikuesve e ka tërhequr një komunikim specifik mes Ermal Mamaqit dhe shkrimtares Mimoza Ahmeti.

Gjatë kësaj bisede, Mamaqi ka thyer rregullin e izolimit duke i përcjellë asaj një informacion që lidhet me ngjarjet e fundit politike dhe sociale jashtë shtëpisë, konkretisht me një reagim publik të kryeministrit Edi Rama.

Komunikimi është realizuar përmes gjesteve dhe lëvizjeve të trupit, teksa opinionisti po i shpjegonte Ahmetit një situatë të ndodhur gjatë një daljeje publike të kreut të qeverisë në Elbasan. Mamaqi ka imituar lëvizjet e duarve dhe mimikën e përdorur nga kryeministri, i cili kishte ironizuar publikisht moderatoren dhe influenceren Fjoralba Ponari. Ponari ka qenë aktive lidhur me zhvillimet e fundit në vend.

Kjo ironi e kryeministrit vjen në një kohë kur qeveria po përballet me një valë protestash në Tiranë, të nxitura nga planet për investime strategjike në zonën e Zvërnecit nga kompania e Jared Kushner.

Ndonëse Mimoza Ahmeti, e shkëputur nga realiteti jashtë për shkak të qëndrimit në fermë, e kishte të vështirë të kuptonte plotësisht kontekstin e imitimit, ndjekësit e emisionit në rrjetet sociale e kanë identifikuar menjëherë skenën të cilës i referohej Mamaqi.

Lajmet e fundit