Vr*sje tronditëse: Ekz*kut*het influencuesja 27-vjeçare

Te Fundit

Sapo kishte përfunduar seancën stërvitore në palestër, Angie Marcela Ramirez Vargas, influencuese nga Kolumbia, gjeti vdekjen pas një atentati të papritur teksa qëndronte e ndaluar në semafor me automjetin e saj.

Raportimet e mediave ndërkombëtare bëjnë me dije se 27-vjeçarja u qëllua për vdekje nga një person që udhëtonte mbi një motoçikletë, i cili iu afrua mjetit dhe hapi zjarr nga një distancë e afërt. Ngjarja e rëndë u regjistrua në një zonë mjaft të populluar të qytetit Pitalito, në pjesën jugore të vendit, në afërsi të një qendre tregtare.

Pavarësisht plagëve të marra, e reja arriti të drejtonte mjetin për rreth 100 metra të tjerë përpara se të humbiste kontrollin dhe të ndalonte përfundimisht. Edhe pse u transportua me urgjencë drejt spitalit nga ekipet e ndihmës së shpejtë, ajo nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të rënda dhe ndërroi jetë pas pak minutash.

Pamjet vizuale të vendngjarjes tregojnë qartë pasojat e sulmit, me xhamin e makinës të thyer dhe trupin e pajetë të viktimës në vendin e shoferit.

Hetimet paraprake zbuluan se dy individë të armatosur kishin ndjekur mjetin për ta qëlluar disa herë përpara se të zhdukeshin nga vendi i ngjarjes. Forcat e rendit ndërhynë menjëherë duke rrethuar zonën dhe duke u vënë në ndjekje të agresorëve, operacion gjatë të cilit u sekuestruan një armë zjarri dhe një motoçikletë që dyshohet se u përdorën në këtë krim.

Në vazhdim të kërkimeve, policia vuri në pranga një 48-vjeçar, i cili u zbulua i fshehur mes shkurreve dhe dyshohet se ishte personi që qëlloi pasagjerin. Shkaqet që çuan në kryerjen e këtij krimi mizor mbeten ende të paqarta.

Lajmet e fundit