‘Nan po më hahet bukë…’/ Po përgadiste ushqimin për fëmijët, zbardhen detaje rrënqethëse nga humbja e 3 jetëve në Shkodër
Tragjedia e ndodhur sot në zonën e Domenit në Postribë ka zbardhur rrethana të dhimbshme, ku një grua 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur, 18 muajsh dhe 3 vjeç, humbën jetën. Dyshimet e para lidhen me shpërthimin e një bombole gazi brenda banesës së vjetër që i përket familjes së të ndjerës.
Hetimet paraprake sugjerojnë se pas ndezjes së bombolës 5 litroshe, ajo shpërtheu menjëherë, duke u marrë jetën viktimave.
Forca e shpërthimit shkaktoi shembjen e çatisë, duke i lënë nënën dhe të vegjlit të bllokuar mes flakëve brenda shtëpisë.
Një qytetar vuri re zjarrin nga larg dhe njoftoi menjëherë forcat zjarrfikëse.
Për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së rrugëve të aksesueshme, flakët përfshinë banesën plotësisht.
Dy automjete të zjarrfikësve mundën të mbërrinin vetëm në fund të rrugës, ndërsa efektivët u detyruan të përshkonin 40 minuta në këmbë deri në vendin e ngjarjes, ku u konstatua vdekja e Bleona Çobajt dhe dy fëmijëve të saj, Amarit dhe Anuar Çelajt.
Familja ishte kthyer së fundmi nga Gjermania dhe po qëndronte në Golem, ndërsa prej dy ditësh kishin nisur sistemimin e banesës në Domen.
Sot, ndërsa babai i 24-vjeçares dhe bashkëshorti i saj, 35-vjeçari Besmir Çelaj, kishin dalë për të blerë gjëra të nevojshme, ndodhi fatkeqësia.
Kjo ngjarje ka prekur mbarë opinionin publik, duke nxitur reagime të shumta nga figura politike si Presidenti Bajram Begaj, kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla dhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci.
Gazetari Fatjon Gjinaj ka shprehur gjithashtu hidhërimin e tij, duke sqaruar se ngjarja është shënuar rreth orës 13:10, kur nëna po përgatiste ushqim, e cila fatkeqësisht u bllokua bashkë me fëmijët nga asfiksia.

