Aksident i rëndë në Turqi! Humbin jetën 7 persona, 13 persona të tjerë raportohet se janë…
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në provincën Gaziantep, në jug të Turqisë, ku një autobus pasagjerësh është përplasur me një automjet.
Sipas të dhënave të para të autoriteteve, si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën 7 persona, ndërsa 13 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Aksidenti ndodhi në aksin Gaziantep–Osmaniye, pranë zonës Acaroba. Pas përplasjes së fortë me automjetin, autobusi u përmbys në rrugë. Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e urgjencës, zjarrfikësit, xhandarmëria dhe ekipet e AFAD-it.
Sipas autoriteteve lokale, të shtatë personat që humbën jetën ndodheshin në automjetin e pasagjerëve, ndërsa të plagosurit udhëtonin në autobus. Të lënduarit u transportuan në spitalet e zonës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Nga hetimet paraprake dyshohet se aksidenti mund të jetë shkaktuar gjatë një manovre të gabuar parakalimi nga drejtuesi i automjetit, i cili më pas është përplasur me autobusin. Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Pamjet e kamerave të sigurisë kanë regjistruar momentin e përplasjes, ku shihet automjeti që del nga rruga dhe autobusi që përmbyset pas goditjes së fortë.

