Aksidenti fataI në Greqi: Publikohen pamjet e përpIasjes që i mori jetën nënë e bir
Janë bërë publike pamjet filmike të përplasjes tragjike që ndodhi në rajonin e Serres në Greqi, ku kamera e instaluar në një kamion ka filmuar çastin e përplasjes së fuqishme mes dy mjeteve.
Ngjarja e dhimbshme ndodhi gjatë orëve të para të mëngjesit të së premtes në aksin rrugor Amfipoli–Drama, në afërsi të Paleokomit, duke u shkaktuar vdekjen një 43-vjeçareje dhe djalit të saj 21-vjeçar, të dy me prejardhje nga Shqipëria.
Sipas informacioneve që përcjellin mediat helene, përplasja ndodhi mes një kamioni dhe një makine të tipit “Volkswagen”.
Goditja ishte aq brutale saqë për pasagjerët e automjetit të vogël nuk pati asnjë mundësi mbijetese.
Siç bëhet e ditur nga hetimet fillestare, i riu 21-vjeçar ishte në timon, ndërsa nëna e tij gjendej në vendin e pasagjerit; ata kishin dalë herët për në punë, kur udhëtimi i tyre u ndërpre në mënyrë tragjike.
Regjistrimet e siguruara nga kamera e kamionit janë tashmë në duart e autoriteteve, të cilat do t’i shqyrtojnë për të zbardhur në detaje dinamikën e ngjarjes..
Në deklaratën e tij, 56-vjeçari që drejtonte kamionin ka pohuar se po lëvizte brenda korsisë së tij kur pa automjetin tjetër, i cili vinte përballë, të dilte jashtë kontrollit dhe të përfundonte në korsinë e tij; ai shtoi se bëri përpjekje për të shmangur përplasjen, por për fat të keq nuk ia doli dot.
Viktimat ishin pjesë e një familjeje shqiptare mjaft të njohur e cila banonte prej vitesh në zonën e Paleokomit, ndaj ndarja e tyre nga jeta ka shkaktuar tronditje dhe trishtim të thellë në mesin e komunitetit vendas.
Lidhur me shoferin e kamionit, ai ka pësuar lëndime të lehta dhe po merr kujdesin e duhur mjekësor në spitalin e Dramës, jashtë çdo rreziku për jetën.
Policia greke mbetet e angazhuar në procesin hetimor për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie rrugore.

