Aksidenti i tmerrshëm i mori jetën nuses dhe të birit, flet i copëtuar kryefamiljari ‘Humba gjithcka…’
“Humba edhe gruan edhe fëmijën. Ata po shkonin në punë, nuk e di çfarë ndodhi, humba gjithçka!”
Përmes këtyre deklaratave për stacionin grek ERT, kryefamiljari që humbi bashkëshorten 43-vjeçare dhe djalin 21-vjeçar, shprehu tronditjen e thellë për ngjarjen tragjike të ndodhur mëngjesin e së premtes në aksin rrugor Amfipolis-Drama, pranë zonës së Paleokomit në Serres.
Jeta e familjarit ndryshoi përgjithmonë në pak momente, pasi gruaja dhe i biri kishin lënë banesën herët për t’u nisur drejt vendit të tyre të punës.
Viktimat po udhëtonin së bashku në të njëjtin mjet, me 21-vjeçarin në timon dhe nënën e tij në sediljen anash. Në orën 07:30, përplasja kokë më kokë me një mjet të tonazhit të rëndë shkaktoi vdekjen e menjëhershme të të dyve.
Shteti grek ka nisur procesin hetimor për të zbardhur të gjitha detajet teknike të kësaj përplasjeje.
Drejtuesi 56-vjeçar i kamionit ka rrëfyer versionin e tij mbi dinamikën që çoi në këtë përplasje vdekjeprurëse.
Në një prononcim për median Mega, ai sqaroi se po udhëtonte sipas rregullave në korsi me një shpejtësi rreth 75-80 km/h, kur papritur vuri re se automjeti ku ndodheshin nëna dhe djali doli jashtë kontrollit duke u drejtuar nga korsia e tij.
“Normalisht jam në korsinë time, në 75 deri në 80 kilometra, sepse kaq duhet të shkosh, nuk mund të shkosh më tej dhe papritmas një makinë vjen drejt meje, ka humbur kontrollin nga ana e sipërme, nga Souli i vogël”, tha ai.
Sipas dëshmisë së tij, ai tentoi të shmangej duke devijuar majtas, por manovra nuk ishte e suksesshme: “Ka humbur kontrollin, ka shkuar në drejtim të kundërt me mua, po përpiqet të kthejë timonin dhe unë po kërkoj të shkoj majtas që të shpëtoj, nuk e arrita dhe më përplasi dhe ndodhi ajo që ndodhi”, shtoi ai.
Familja me origjinë shqiptare banonte në Paleokomi. Të ndjerët ishin punonjës të të njëjtit subjekt në zonën e plazhit të Ofrynit dhe atë mëngjes po shkonin për në punë.
Bashkëshorti dhe vajza e familjes tani duhet të përballen me humbjen e rëndë të dy njerëzve të tyre më të dashur, të shkëputur nga jeta në një çast të vetëm.
Ndërkohë, drejtuesi i kamionit u dërgua për mjekim në spitalin e Dramës për shkak të plagëve të lehta, ndërsa në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, ekipet e zjarrfikëseve dhe personeli i urgjencës (EKAB).
Procedurat hetimore vijojnë për të përcaktuar me saktësi shkaqet që sollën përplasjen tragjike me dy viktima.

