Angazhime të reja në onkologji dhe AI, pse u largua Evis Sala nga qeveria?
Pas vendimit për t’u larguar nga detyra si ministre e Shëndetësisë, Evis Sala ka thyer heshtjen përmes një komunikimi publik.
Nëpërmjet rrjeteve sociale, ajo ka shpjeguar se vendimi lidhet me disa mundësi të reja profesionale në nivel ndërkombëtar, të cilat përqendrohen te inovacioni, onkologjia dhe inteligjenca artificiale.
Përveç kësaj, Sala nuk ka harruar të përcjellë mirënjohjen ndaj kryeministrit Edi Rama për besimin e treguar, si dhe ndaj qytetarëve që kanë qenë të angazhuar me kërkesa, sugjerime dhe vëmendje ndaj shërbimit shëndetësor gjatë vitit të kaluar.
“Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkolologji – inteligjencë artificiale – inovacion.
Një vit më parë mora përsipër me përgjegjësi të madhe detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, një fushë plot sfida e vështirësi. I jam mirënjohëse Kryeministrit Edi Rama për besimin dhe mbështetjen, si dhe çdo mjeku, infermieri, profesionisti dhe punonjësi të sistemit të shëndetësisë e mirëqenies sociale që punoi çdo ditë për ta bërë sistemin më të mirë. Një falenderim të veçantë për çdo qytetar shqiptar që më shkroi, sugjeroi apo kërkoi më shumë prej nesh.
Në këtë vit kemi bërë hapa të rëndësishëm në shëndetësi. Shumë prej tyre janë të dukshëm sot, të tjerë sapo kanë nisur.
Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post. Ai është pjesë e asaj që jam dhe do të vazhdojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit tim profesional ndërkombëtar. Sepse detyrat kanë një fillim dhe një fund. Por, përgjegjësia dhe lidhja me vendin tënd nuk kanë kufij!”, shkruan Sala në “X”.

