“Babi vr*u mamin”, thirrja rrëqethëse e vajzës pas vr*sjes së nënës nga babai në Greqi
Pak ditë pas vrasjes së dyfishtë në Athinë, ku Altin Allmuça qëlloi për vdekje Julieta Obzovën përpara se t’i jepte fund jetës, një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi. Kësaj radhe, në veri të vendit, një 53-vjeçar ka ndërmarrë një akt makabër duke vrarë bashkëshorten e tij me thikë.
Zona e Rodopeve u bë skena e kësaj tragjedie familjare, ku një çift me origjinë shqiptare, prindër të tre fëmijëve, u përfshi në një debat që degradoi deri në vrasje.
Detajet e para tregojnë se konflikti në banesë përfundoi në mënyrën më të dhunshme të mundshme. Për fat të keq, ngjarja u zhvillua në sytë e fëmijëve të çiftit, të cilët u bënë dëshmitarë të aktit të tmerrshëm të babait të tyre ndaj nënës.
Ishte vajza e madhe e familjes ajo që kontaktoi menjëherë autoritetet greke për të kërkuar ndihmë pas shpërthimit të dhunës në shtëpi.
Pavarësisht mbërritjes së shpejtë të policisë dhe ekipeve mjekësore, dhe transportimit të menjëhershëm të gruas drejt spitalit, ajo nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të rënda dhe ndërroi jetë.
Autori 53-vjeçar, pas sulmit mbi bashkëshorten, tentoi t’i jepte fund jetës duke pirë benzinë.
Ai ndodhet aktualisht në spital në gjendje të panjohur, ndërsa identiteti i tij mbetet i konfidencial. Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet që çuan në përshkallëzimin e kësaj dhune, duke dyshuar se nuk bëhet fjalë për një incident të izoluar.
Në vitin 2022, kur familja jetonte në Heraklion të Kretës, gruaja kishte bërë denoncim për kërcënim, gjë që çoi në arrestimin e tij asokohe.
Hetuesit po shqyrtojnë historikun e tensioneve mes çiftit për të kuptuar nëse kjo ngjarje ishte vazhdim i një dhune të vazhdueshme.
Çifti kishte tre fëmijë, dy prej të cilëve të rritur dhe një 16-vjeçar. Kjo tragjedi pason krimin e ndodhur pak ditë më parë në Athinë, ku Altin Allmuça vrau Julieta Obzovën, rast për të cilin mediat greke konfirmojnë gjithashtu një histori të gjatë konfliktesh dhe kërcënimesh të mëparshme.

