Big Brother VIP Albania 6, Ledion Liço konfirmohet në moderim? Çfarë po ndodh me Alketa Vejsiun

ShowBizi

“Big Brother VIP Albania” vijon të jetë një ndër emisionet më të ndjekura në ekranet shqiptare. Ky spektakël, i cili për disa muaj mban në fokus marrëdhëniet dhe sjelljet e banorëve në shtëpinë e famshme, u jep një peshë të konsiderueshme edhe figurave që drejtojnë programin apo janë pjesë e panelit të opinionistëve.

Me afrimin e ciklit të gjashtë, kanë nisur të dalin detajet e para që lidhen me strukturën e këtij edicioni.

Për sa i përket drejtimit, nuk parashikohen ndryshime, pasi Ledion Liço është kandidati kryesor për të vijuar në krye të “Big Brother VIP Albania 6”, duke marrë parasysh përvojën e tij në sezonet e fundit.

Megjithatë, një emër tjetër që po lakohet shpesh për sezonin në vijim është ai i Alketa Vejsiut.

Sipas zërave që po qarkullojnë, moderatorja po diskutohet për një angazhim në spektakël, ku një nga opsionet më të mundshme është pjesëmarrja e saj si opinioniste. Ekziston mundësia që ajo të bashkohet me panelin ekzistues ose të ulet pranë Arbër Hajdarit për të dhënë këndvështrimin e saj.

Aktualisht, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar lidhur me këtë përfshirje, pasi palët thuhet se janë në fazë bisedimesh dhe mbetet për t’u konfirmuar nëse Vejsiu do të bëhet pjesë e reality show-t dhe në çfarë pozicioni.

Gjithashtu, ka sinjale për një ndryshim të mundshëm në axhendën e programit. Ndërsa publiku është mësuar që “Big Brother VIP Albania” të nisë gjatë muajit dhjetor, përflitet se këtë vit spektakli mund ta fillojë transmetimin më herët.

Për momentin, roli i Alketa Vejsiut dhe hipotezat për një start më të hershëm të “Big Brother VIP Albania 6” mbeten vetëm informacione të pakonfirmuara, derisa Top Channel të japë njoftimin zyrtar.

Lajmet e fundit