Detaje tr*nditëse nga Italia: Si u gjet trupi i 35-vjeçarit shqiptar brenda një automjeti pa targa?

Te Fundit

Në zonën e Padovës, në Itali, është raportuar një krim i rëndë ku një shtetas shqiptar ka humbur jetën në rrethana tejet të dhunshme. Viktima, i identifikuar si 35-vjeçari Ferdinand Hoti, u zbulua i pajetë brenda një automjeti që ishte fundosur në ujërat e një lumi në San Giorgio delle Pertiche, ndërsa ekspertiza ka konfirmuar se ai ishte qëlluar më parë me armë zjarri.

Sipas dyshimeve paraprake të autoriteteve hetimore, akti kriminal ka ndodhur në një vend tjetër. Viktima u gjet në pjesën e pasme të një makine Fiat Bravo me ngjyrë të zezë e cila nuk mbante targa, e cila është zhytur në lumin Tergola dhe aktualisht ndodhet nën kontrollin e grupit hetimor.

Në bazë të raportimeve nga shtypi italian, bindja se bëhet fjalë për vrasje vjen nga disa elementë konkretë: trupi i 35-vjeçarit është gjetur i lidhur, ndërsa sediljet e makinës kanë qenë të palosura.

Në vijim, ekspertët do të shqyrtojnë çdo provë të mundshme, ku përfshihen edhe gjurmët e gjakut brenda automjetit. Qëllimi i hetuesve është të zbardhin kohën dhe vendin e saktë të krimit, si dhe të vërtetojnë nëse makina është përdorur për transportimin e trupit pas vrasjes.

Në ditët në vazhdim pritet të bëhen të ditura informacione shtesë mbi këtë ngjarje tronditëse.

Lajmet e fundit