Drejtuesi i ri i Portokallisë: Agron Llakaj flet për projektin e tij të rikthimit

ShowBizi

Pas një mungese të gjatë prej 16 vitesh, Agron Llakaj po bëhet gati për t’u rikthyer në skenën e “Portokalli”.

Pas 16 vitesh mungesë, aktori i njohur rikthehet për të marrë në dorë drejtimin e emisionit më të ndjekur të humorit në vend.

“Me mbështetjen e Lorit dhe Top Channel, mendoj se kemi të gjitha mundësitë që Portokalli të rimarrë ngjyrimin e atij që e themeloi, që i vuri këtë emër kaq të bukur. Përveç angazhimit si prezantues në teatrin e Top Channel, ai do të shfaqet edhe në rolin e aktorit. Mendoj se e qeshura ofron dashuri dhe ky është një mision shumë i madh për vetë kohën, ku mendoj se ka shumë urrejtje”, u shpreh Agron Llakaj.

Duke sjellë përvojën e tij të gjatë profesionale, ai premton risi të shumta për shikuesit, të cilët do të kenë mundësinë ta ndjekin spektaklin çdo të diel, ndërsa shfaqjet në teatër do të transmetohen live çdo të premte. “Portokallia është tani shtëpia e vetme e humorit në Shqipëri dhe përveç kontributeve dhe energjisë që kanë përcjellë aktorët, ardhja ime nuk është nisje nga zero, por bashkim i energjive që këtë shkëlqim që të ofron Top Channel, vij me energjinë dhe eksperiencën që ky shkëlqim të rritet më shumë.

T’i kthehemi publikut që duhet të na vijë javë për javë, duke bërë bashkë të gjitha brezat që dëshirojnë një humor cilësor”, tha humoristi. Përmes një formati që ndërthur skeçet, parodinë dhe personazhet e shumtë, ky spektakël do të reflektojë mbi ngjarjet e ndryshme sociale dhe politike, duke nxitur te shikuesit si humorin ashtu edhe mendimin kritik.

“Humori është vëzhgues i realitetit. Nuk ka pak probleme Shqipëria, ‘përbërësit’ janë që ne të bëjmë gjellë cilësore.

Sa i takon politikës, botërore, që në momentin që kam ardhur, ky sinjal i ka shkuar Trump. E ka pritur mirë, mendoj se do kemi bashkëpunim të mirë më Amerikën. Ai ka dashur që ta quajmë “Orange”, por unë këmbëngula që ta quajmë ‘Portokalli’”, u shpreh Llakaj.

Ky edicion i ri hap dyert edhe për talente të reja, të cilët mund të aplikojnë për të marrë pjesë në audicionet që do të zhvillohen nga data 2 deri më 16 shtator, në fusha të ndryshme si aktrimi, imitimi apo shkrimi i skenareve.

“Do të vijnë dhe do të kenë një dritare tyren, që do ta quajmë ‘dritarja e talentit të ri’ dhe nëse deri në dhjetor do të kenë talentin dhe fuqinë për t’u bërë pjesë e “Portokalli” janë të mirëseardhur”, përfundoi Agron Llakaj.

Publiku që dëshiron të ndjekë shfaqjen live mund ta bëjë këtë duke nisur nga data 2 tetor, ndërsa transmetimi për teleshikuesit e “Portokalli” do të nisë më 4 tetor.

Lajmet e fundit