Humbje e rëndë për median: Ndërron jetë në moshën 38-vjeçare drejtori i televizionit
Sot, bota e medias është tronditur nga një njoftim i dhimbshëm mbi vdekjen e Lirim Hajredinit, drejtorit të televizionit “Alsat” në Maqedoninë e Veriut, i cili u gjet pa shenja jete në afërsi të një qendre tregtare.
Ende nuk janë përcaktuar arsyet e kësaj ndarjeje tragjike nga jeta të 38-vjeçarit, ndërkohë që hetuesit po shqyrtojnë të gjitha pistat, përfshirë dyshimin për vetëvrasje, ndonëse nuk ka një konfirmim përfundimtar.
Trupi i të ndjerit është dërguar në institucionin përkatës mjekësor për t’iu nënshtruar autopsisë, e cila pritet të hedhë dritë mbi rrethanat e vdekjes. Ky lajm ka shkaktuar një tronditje të thellë, veçanërisht mes bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë me të cilët ndau një rrugëtim profesional prej më shumë se 16 vitesh në këtë ekran.

Deri në këto çaste, televizioni “Alsat” nuk ka lëshuar ndonjë deklaratë zyrtare për këtë humbje. Autoritetet e Ministrisë së Brendshme kanë konfirmuar se 38-vjeçari ndërroi jetë për shkak të dëmtimeve trupore, ndërsa dinamika e ngjarjes mbetet ende nën hetim.
“Sot (13.08.2026), rreth orës 09:25, në SPB Shkup është raportuar se para një ndërtese në bulevardin „Krste Misirkov“ në Shkup ndodhet një person me lëndime.
Në vendngjarje kanë dalë zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Bit Pazar, të cilët kanë konstatuar se bëhet fjalë për L.H. (38) nga Shkupi. Personi ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra, ndërsa vdekjen e ka konstatuar mjeku i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore” njoftoi sot Ministria e Brendshme e Maqedonisë. Gjatë karrierës së tij, Hajredini u shqua si një drejtues me eksperiencë të gjerë në media, duke dhënë kontributin e tij në fushat e marketingut, strategjive të biznesit dhe produksionit televiziv.
Përtej angazhimit të tij menaxherial, ai ishte gjithashtu i njohur për punën e tij si përkthyes i literaturës së specializuar.

