Ikja e historianit të mirënjohur: Kolegët përcjellin ngushëllime për profesor Dezhgiun
Në moshën 82-vjeçare, është shuar studiuesi dhe profesori i mirënjohur i Institutit të Historisë, Muharrem Dezhgiu. Ky lajm i hidhur për ndarjen e tij nga jeta është bërë i ditur nga kolegët e tij në Institut, të cilët kanë përcjellë ngushëllimet e tyre të thella për familjen e të ndjerit.
I lindur në Guri të Bardhë të Matit më 1 shtator 1944, Dezhgiu i kushtoi një pjesë të madhe të jetës së tij studimit dhe dokumentimit të së kaluarës kombëtare. Ai la pas një kontribut të çmuar në historiografinë shqiptare, përmes një sërë veprash të rëndësishme si:

Veprimtaria e shtetit të ri të demokracisë popullore (maj-nëntor 1944), Shqipëria në luftë (1939-1944), (studime dhe refleksione), Anastas Lula – disidenti i parë në PKSH, Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve (në bashkautorësi), si dhe vëllimet kushtuar pushtimit italian (1939-1943) dhe atij gjerman (shtator 1943 – nëntor 1944).
Ndër të tjera, emri i profesor Muharrem Dezhgiut ndërlidhet pazgjidhshmërisht me botimin voluminoz “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX”, të realizuar nga Instituti i Historisë, si dhe me pjesëmarrjen e tij si bashkautor në hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar.

