Jonida Vokshi i jep fund moderimit në BBVK dhe tregon arsyen e largimit
Jonida Vokshi ka vendosur të mos rikthehet në moderimin e edicionit të pestë të “Big Brother VIP Kosova”. Pas katër sezonesh që ka drejtuar spektaklin, Jonida Vokshi ka vendosur të marrë një pauzë nga moderimi i BBVK.
Ajo theksoi se BBVK ka qenë një pjesë e rëndësishme e disa viteve më intensive të jetës së saj, duke përfshirë sfida si shtatzënia dhe humbja e babait. Ajo e ka ndarë këtë vendim me ndjekësit e saj përmes një postimi në Instagram, ku shpjegon se ky format ka luajtur një rol të rëndësishëm në disa nga vitet më të ngarkuara të jetës së saj, si në planin profesional ashtu edhe në atë personal.
Vokshi ka përjetuar ngjarje të rëndësishme, duke kaluar nga shtatzënia deri te humbja e të atit, duke krijuar një lidhje të veçantë me publikun gjatë kësaj periudhe. Dy fëmijët e saj janë një nga faktorët kryesorë që e kanë motivuar atë të marrë këtë vendim.
“Dy zëra më thërrasin mami. Ata po rriten dhe unë jam gjithmonë duke vrapuar”, ka shkruar Jonida, duke shpjeguar dëshirën për t’u kushtuar më shumë kohë atyre.
Përveç angazhimeve familjare, ajo po ashtu dëshiron të fokusohet në disa projekte personale që ka planifikuar prej një kohe të gjatë. Kështu, largimi nga BBVK nuk nënkupton braktisjen e televizionit ose të profesionit.
Vetë Jonida ka lënë të hapur edhe mundësinë e një rikthimi në të ardhmen. “Një kapitull që nuk po e mbyll me pikë. Thjesht po vendos një presje”, shkroi ajo, duke e cilësuar vendimin më shumë si një pauzë sesa si një lamtumirë përfundimtare.
Përfundimisht, ajo i uroi Alaudin Hamitit dhe Olsa Muhametit fat të mbarë për edicionin e ri. Pas largimit të saj, vazhdon të mbetet e paqartë se kush do t’i bashkohet Alaudinit në drejtimin e “Big Brother VIP Kosova 5”.

