M*sakër në SHBA: 44-vjeçari vr*t 8 familjarë dhe dj*g shtëpinë
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në periferi të Billings, Montana, ku 44-vjeçari amerikan Alan Smith u mori jetën tetë pjesëtarëve të familjes së tij. Tragjedia ndodhi gjatë darkës së të dielës, vetëm pak kohë pasi prindërit e autorit kishin kërkuar që ai të largohej nga banesa.
Sipas Brad Ireland, i cili humbi ish-bashkëshorten dhe dy fëmijët në këtë sulm, autori i identifikuar si Alan Smith kishte pasur konflikte me prindërit e tij, të cilët ishin gjithashtu ndër viktimat. Ireland sqaroi se pasi ishte dëbuar, autori u rikthye të dielën për të hapur zjarr ndaj të afërmve.
Viktimat përfshinin anëtarë të katër brezave të ndryshëm, duke filluar nga një stërgjyshe mbi 90 vjeçe që lëvizte me karrocë, e deri tek një fëmijë 7 vjeç.
Sipas dëshmive, para se banesa të shkrumbohej nga flakët, dëgjoheshin krisma armësh. Autoritetet konfirmuan të martën se bilanci i viktimave shkon në tetë persona, mes tyre katër të mitur, ndërsa autori i dyshuar ka ndërruar jetë pasi ka qëlluar veten me armë zjarri.
Në mesin e personave që humbën jetën ishin ish-gruaja e Ireland, Megan Ghekiere, së bashku me fëmijët e tyre Owen, 13 vjeç, dhe Chloe, 7 vjeçe. Po ashtu, ndër të vrarët figurojnë Landon Ghekiere, 15 vjeç dhe Charlotte Ghekiere, 12 vjeçe, fëmijët e adoptuar të Meganit me partnerin aktual.
Jeff Stovall, zëdhënës i Policisë së Billings, bëri me dije se procesi i hetimit është vështirësuar për shkak të dëmeve të mëdha strukturore, pasi shtëpia u dogj plotësisht deri në themel.

