M*sakër në SHBA: Babai vr*t familjen, vete dhe me pas i vë flakën shtëpisë
Shtetet e Bashkuara janë tronditur nga një krim i tmerrshëm, ku dyshohet se një 47-vjeçar ka ekzekutuar bashkëshorten dhe gjashtë fëmijët e tij, përpara se t’i vinte zjarrin pronës dhe t’i jepte fund jetës së tij.
Trupat e pajetë të Christopher Karolkiewicz, 47 vjeç, gruas së tij Amanda “Maddie” Karolkiewicz, 39 vjeçe, dhe gjashtë fëmijëve të tyre të moshave 5 deri në 15 vjeç, u zbuluan brenda banesës së tyre në Grand Haven Township, në afërsi të Liqenit Michigan.
Sipas të dhënave paraprake hetimore, Christopher fillimisht dyshohet se ka përdorur armë zjarri ndaj familjes së tij, pastaj ka shkaktuar vatra të shumta zjarri nëpër shtëpi dhe në fund ka kryer vetëvrasje.
Forcat e rendit ndërhynë pas thirrjeve të banorëve që vunë re tymin; ekipeve të shpëtimit iu deshën tre orë për të shuar flakët dhe për të hyrë brenda, ku u përballën me skenën e rëndë të tetë viktimave.
Analizat mjeko-ligjore vërtetuan se shkaku i vdekjes ishin plagët nga armët e zjarrit, ndërsa zjarrvënia dyshohet si një veprim i qëllimshëm i kryer pas krimit për të mbuluar gjurmët, ndërsa hetimet për dinamikën e flakëve vazhdojnë; gjithashtu, asnjë nga kafshët e familjes nuk arriti të shpëtonte.
Historia e çiftit nisi në vitin 2008 në vendin e punës, ndërsa kurorëzimi i martesës ndodhi një vit më pas, duke krijuar një familje me katër fëmijë biologjikë dhe dy vajza të adoptuara.
Megjithatë, mbrapa fasadës së qetësisë familjare, hetuesit po kërkojnë të kuptojnë tensionet e vjetra, përfshirë një lidhje të dyshuar të Christopher me një praktikante rreth tetë vite më parë.
Amanda kishte shprehur hapur vështirësitë e martesës në rrjetin social Reddit dy vjet më parë, duke rrëfyer tradhtitë e bashkëshortit dhe luftën e saj për të ruajtur ekuilibrin emocional në ato rrethana të vështira.
Organet ligjzbatuese amerikane po vijojnë punën për të hedhur dritë mbi motivet e vërteta dhe rrethanat e këtij shkatërrimi familjar.

