Mëngjes i përgj*kshëm në rrugët e vendit: 5 makina përpIasen në autostradën Durrës-Tiranë, raportohet një v*ktimë

Te Fundit

Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit në autostradën që lidh Durrësin me Tiranën, ku një përplasje zinxhir ka përfshirë pesë automjete. Për pasojë, një 45-vjeçar ka ndërruar jetë pasi është goditur nga një kamion.

Ndërkohë, pesë persona të tjerë që udhëtonin në këto mjete kanë pësuar lëndime të lehta, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Autoritetet policore sqarojnë se 45-vjeçari Hysen Balla ndërroi jetë në vend, pasi automjeti i tij goditi pjesën e pasme të një kamioni.

Në vijim, makina e viktimës u përplas nga tre automjete të tjera që vinin pas. Ky zinxhir përplasjesh solli dëme të konsiderueshme materiale dhe lëndime për pesë pasagjerë. Lidhur me këtë ngjarje, shtetasja A. V. dyshohet se u largua nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që policia e ka shoqëruar për të marrë dëshminë e saj mbi rrethanat.

Ekipet e hetimit dhe forcat e rendit janë aktualisht në vendngjarje për të zbardhur shkaqet dhe dinamikën e plotë të këtij aksidenti.

Ky rast shënon aksidentin e dytë fatal për mëngjesin e sotëm, pas tragjedisë së ndodhur në aksin Levan-Tepelenë, ku humbi jetën një 55-vjeçar.

NJOFTIMI I POLICISË:

Informacion paraprak për aksidentin në Durrës

Një përplasje mes 5 automjetesh është shënuar në autostradën Durrës-Tiranë rreth orës 05:20.

Si pasojë e goditjes me një kamion, shtetasi H. B., 45 vjeç, ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Në aksident janë përfshirë po ashtu tre mjete të tjera, ku drejtuesit e tyre janë G. L., 59 vjeç dhe J. I., 34 vjeç, ndërsa pesë pasagjerët e lënduar janë jashtë rrezikut për jetën.

Shtetasja A. V., e dyshuar si drejtuese e një prej mjeteve, u largua nga vendngjarja përpara se të shoqërohej nga uniformat blu për sqarimin e detajeve.

Grupi i punës, i përbërë nga ekspertë dhe policia, po kryen veprimet e duhura për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan në këtë aksident.

Lajmet e fundit