Ndikimi i El Niño-s dhe ndryshimet klimatike: Si do të ndryshojë moti në Europë gjatë shtatorit?
Sipas meteorologëve, periudha e tejzgjatur e nxehtësisë në kontinentin europian pritet t’ia lërë vendin një faze të re, të karakterizuar nga reshje intensive shiu që mbartin rrezikun e përmbytjeve në zona të ndryshme.
Informacionet e siguruara nga sistemi ndërkombëtar i monitorimit WFY24 konfirmojnë se gjatë shtatë ditëve të para të shtatorit, bazeni i Mesdheut do të përjetojë ende temperatura mjaft të larta. Më konkretisht, termometri në Romë parashikohet të shënojë mesatarisht 35°C, ndërsa në Athinë dhe Madrid vlerat do të sillen përkatësisht rreth 34°C dhe 33°C.
Nga ana tjetër, Europa Veriore po përballet me kushte shumë më “të freskëta dhe të paqëndrueshme”, ku temperaturat në qytete si Londra dhe Berlini nuk kalojnë 20-21°C.
Stuhitë dhe shirat e rrëmbyeshëm kanë zëvendësuar tashmë valën e të nxehtit, duke hidratuar tokat që kishin mbetur të thara në një pjesë të Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Për sa i përket rajonit të Mesdheut, pritet të shënohet rritja më e ndjeshme e vëllimit të reshjeve.
“Shtatori dhe tetori janë sezoni i përmbytjeve të menjëhershme në Mesdhe: deti është në temperaturën më të lartë vjetore pas tre muajsh ngrohjeje, ndërsa rrymat e para të ftohta mbërrijnë në lartësi,” thotë Ioanna Vergini, themeluese e WFY24. Në qendër të vëmendjes mbetet gjithashtu fenomeni El Niño, për të cilin ekspertët vlerësojnë se mund të rezultojë “më i fuqishmi i regjistruar ndonjëherë” këtë vit.
Organizata Botërore Meteorologjike ka bërë të ditur se ky fenomen klimatik po vijon të “intensifikohet në mënyrë të qëndrueshme” dhe është parashikuar që të “dominojë modelet klimatike” gjatë dy muajve të ardhshëm.
Edhe pse El Niño ndikon në rritjen e temperaturave globale duke krijuar premisat për mot më ekstrem, ndikimet e tij kryesore vërehen në zonat tropikale.
Në të kaluarën, gjatë episodeve të ngjashme, Amerika e Jugut, Afrika Lindore, Azia Qendrore dhe jugu i SHBA-ve kanë qenë më të rrezikuara nga përmbytjet, ndërkohë që në pjesë të Australisë, Indonezisë dhe zonat veriore të Amerikës së Jugut është shtuar risku për zjarre dhe thatësira.
Pavarësisht zërave që e lidhin vapën e verës në Europë me fenomenin El Niño, specialistët kanë nënvizuar se përgjegjësi kryesor për këto ndryshime mbeten ndryshimet klimatike.

