Paralajmërimi i meteorologëve: Pse vapa po shndërrohet në kërcënim përmbytjesh?
Ekspertët e meteorologjisë kanë paralajmëruar se moti i nxehtë që ka dominuar Europën gjatë verës po krijon kushtet për stuhi të fuqishme, të cilat në rajone të caktuara rrezikojnë të shkaktojnë përmbytje.
Të dhënat e publikuara nga WFY24, një burim ndërkombëtar i parashikimit të motit, tregojnë se gjatë javës së parë të shtatorit, vendet e rajonit të Mesdheut do të përballen ende me temperatura të larta, ku në Romë pritet të arrihet mesatarja prej 35°C, në Athinë 34°C dhe në Madrid 33°C.
Këto shifra janë 6 deri në 8 gradë Celsius më të larta se mesataret historike të periudhës, duke vërtetuar kështu tendencën e zgjatjes së stinës së verës dhe intensifikimin e nxehtësisë ekstreme në mbarë kontinentin.
Në anën tjetër të Europës, veriu po ballafaqohet me situatë “të freskëta dhe të paqëndrueshme”, ku termometri në Berlin dhe Londër nuk kalon mbi 21°C dhe 20°C përkatësisht. Në disa shtete si Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, shirat intensivë dhe rrufetë i kanë dhënë fund valës së të nxehtit, duke lagur truallin e tharë më parë.
Rajoni i Mesdheut parashikohet të jetë më i godituri nga shtimi i reshjeve atmosferike.
“Shtatori dhe tetori janë sezoni i përmbytjeve të menjëhershme në Mesdhe: deti është në temperaturën më të lartë vjetore pas tre muajsh ngrohjeje, ndërsa rrymat e para të ftohta mbërrijnë në lartësi,” shprehet Ioanna Vergini, themeluese e WFY24. Aktualisht vëmendja është përqendruar te fenomeni El Niño, për të cilin specialistët kanë paralajmëruar se mund të bëhet “më i fuqishmi i regjistruar ndonjëherë” këtë vit.
Organizata Botërore Meteorologjike bën me dije se ky fenomen klimatik po “intensifikohet në mënyrë të qëndrueshme” dhe pritet të “dominojë modelet klimatike” gjatë dy muajve në vijim.
Edhe pse El Niño ndikon në ngritjen e temperaturave botërore dhe nxit motin ekstrem, pasojat e tij vërehen më fort në brezat tropikalë.
Gjatë episodeve të kaluara të El Niño-s, shtete të Afrikës Lindore, Azisë Qendrore, si dhe pjesë të SHBA-ve dhe Amerikës së Jugut kanë përjetuar kërcënime më të larta nga përmbytjet, ndërsa vende si Indonezia, zona të Australisë dhe pjesë veriore të Amerikës së Jugut janë rrezikuar më tepër nga zjarret dhe thatësira.
Megjithëse vapa e pazakontë në Europë lidhet nga shumëkush me El Niño-n e këtij viti, specialistët këmbëngulin se ndryshimet klimatike mbeten faktori kryesor i këtyre zhvillimeve./Euronews

