Sezon i ri për ‘Portokalli’: Detajet rreth moderimit dhe audicionet për kasti e aktorëve të rinj
“Portokalli” po i nënshtrohet një faze transformimesh të mëdha për sezonin e ardhshëm. Me lajmin se Agron Llakaj rikthehet në Top Channel pas 16 vitesh që tashmë është konfirmuar, vëmendja është zhvendosur te bashkëprezantuesi që do të jetë në krah të tij në moderimin e programit.
Raportimet e fundit sugjerojnë se Kiara Tito do të jetë partnerja e tij në drejtimin e spektaklit. Për këtë sezon, publiku do të ketë mundësinë të shohë sërish ish-konkurrenten e Big Brother VIP Albania 2 në “Portokalli”.
Vendimi për rikthimin e Agron Llakajt është tashmë zyrtar. Përtej detyrës së moderatorit, ai do t’i rikthehet edhe pasionit të tij si aktor në skenën e humorit, duke u bërë pjesë e formatit që shënoi një pjesë të konsiderueshme të rrugëtimit të tij artistik.
Programi po kalon edhe një proces rinovimi të trupës së aktorëve. Audicionet për të gjetur talente të reja në aktrim, imitim dhe autorësi do të mbahen nga 2 deri më 16 shtator, ndërsa data 2 tetor shënon premierën me publik, e ndjekur nga transmetimi televiziv më 4 tetor.

