“T’i vijë turp, nuk ia fal!’/Nëna e Bleona Matës shpërthen ndaj avokatit Duraj pas lajmit për gjetjen e vajzes
Një ditë më parë, avokati Alban Duraj deklaroi në një intervistë televizive se kishte komunikuar me Bukurie Matën dhe se, sipas informacioneve që ajo i kishte dhënë, Bleona ishte identifikuar në një vend të Bashkimit Europian, ishte birësuar nga një çift grek dhe ishte sot studente ekselente. Deklarata u përhap me shpejtësi në media, ndonëse informacioni nuk u konfirmua me nënën apo autoritete.
Rasti i Bleona Matës është një nga historitë më të njohura të fëmijëve të zhdukur në Shqipëri. Bleona u zhduk më 22 maj 2010, në moshën 6-vjeçare, në zonën e Zapodit në Kukës. Prej atëherë, nëna e saj, Bukurie Mata, nuk është dorëzuar asnjëherë në kërkim të së bijës.
Sot, Bukurie Mata ka folur vetë dhe ka rrëzuar deklaratat e avokatit.
“Nuk kam asnjë lidhje me këtë avokat. Nuk flasim bashkë. Nuk e di pse e ka bërë këtë”, thotë ajo. Nuk e fal dot këtë…
Nëna e Bleonës u drejtohet edhe mediave me një lutje të drejtpërdrejtë:
“Duhet të keni kujdes, ju lutem. Jemi shumë të lënduar.”
Pas 16 vitesh kërkimesh, çdo lajm për Bleonën ngjall shpresë te familja e saj. Pikërisht për këtë arsye, informacionet për fatin e saj kërkojnë verifikim dhe kujdes të veçantë përpara se të publikohen si fakte.

