Tragjedi në Ksamil, familja lezhjane përcjell nesër për në banesën e fundit 3-vjeçaren Ayla
Dhimbja ka mbërthyer familjen Marku, banuese prej vitesh në Lezhë, pas humbjes së parakohshme të vajzës së tyre 3-vjeçare, Aylës. E mitura ndërroi jetë tragjikisht një ditë më parë në Ksamil, si pasojë e një aksidenti ku i ati e përplasi pa dashje me automjet.
Sipas informacioneve që ka siguruar Newsbomb.al, ceremonia e varrimit për të voglën Ayla do të zhvillohet nesër, në orën 10:00, në varrezat e zonës së Grykë-Zezë në Lezhë. Për çiftin Ergys dhe Anxhela, kjo është një humbje e pazëvendësueshme, pasi ata do t’i japin lamtumirën e fundit vajzës së tyre të vetme mes një dhimbjeje të pafund.
Ngjarja e rëndë është zbardhur përmes hetimeve të autoriteteve, të cilat konfirmuan se aksidenti ndodhi në hapësirën e një parkimi privat. Në ato çaste, babai po kryente lëvizje me makinën e tij, moment kur fatkeqësisht goditi vajzën e mitur.

Njoftimi zyrtar i Policisë sqaroi se rreth orës 11:30, në një parkim pranë bregdetit të Ksamilit, shtetasi E.M. teksa po parkonte automjetin tip “Audi”, dyshohet se ka goditur aksidentalisht vajzën e tij 4-vjeçare. Goditja rezultoi fatale për fëmijën, i cili gjeti vdekjen në vend. Aktualisht, grupi hetimor është duke vijuar punën për zbardhjen e plotë të dinamikës së këtij rasti.
Stafi i Newsbomb.al u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të të ndjerës Ayla për këtë ngjarje tejet të dhimbshme.

