Tragjedi në Stamboll: Aktori i filmit Ezel humb jetën, partnerja zbardh gjendjen e tij shëndetësore

ShowBizi

Në banesën e tij të vendosur në zonën Kağıthane të Stambollit, është gjetur trupi i pajetë i artistit turk Serhat Mustafa Kiliç. Shkaqet që çuan në ndarjen e tij nga jeta janë ende të paqarta, pasi autoritetet nuk kanë dalë ende me një njoftim zyrtar mbi rrethanat e ngjarjes.

Siç bëjnë të ditur raportimet e para, alarmi u dha nga partnerja e aktorit, e cila ishte vënë në kërkim të tij pasi prej disa ditësh nuk kishte pasur asnjë mundësi komunikimi. Duke qenë se nuk merrte përgjigje, ajo përdori çelësin e saj për të hyrë në apartament, ku e gjeti Kılıçin pa shenja jete të ulur në kolltukun e dhomës së ndenjes.

Pas mbërritjes në vendngjarje, ekipet e policisë dhe ato mjekësore konfirmuan ndarjen nga jeta të aktorit. Trupi i tij është dërguar pranë Mjekësisë Ligjore, ku pritet të kryhen analizat e nevojshme për të përcaktuar me saktësi se çfarë e shkaktoi vdekjen.

Në dëshminë e dhënë për organet e rendit, partnerja e tij përmendi gjendjen e brishtë shëndetësore të aktorit, duke pohuar se ai ishte duke u përballur me kancerin limfatik. Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë nxjerrë një konfirmim zyrtar nëse kjo sëmundje ka qenë faktori kryesor i humbjes së jetës.

Ndërkohë, mediat kanë bërë publike pamjet e fundit që e shfaqin aktorin teksa kthehej në shtëpi më datë 1 shtator. Në filmimet e siguruara nga kamerat e sigurisë, Kılıç duket qartësisht i rraskapitur dhe shihet duke u mbështetur pas murit gjatë rrugës për në apartament.

Serhat Mustafa Kılıç la pas një karrierë të vlerësuar në skenat e teatrit, si dhe në produksione kinematografike e televizive, ku së fundmi ishte angazhuar në serialin “Teşkilat”. Procedurat hetimore mbeten të hapura, ndërsa pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të japë versionin përfundimtar mbi rrethanat e kësaj ngjarjeje të trishtë.

Lajmet e fundit