Vala e të nxehtit, meteorologët: Kur pritet rënia e temperaturave në shtator?
Ditët e fundit të gushtit kanë sjellë temperatura tejet të larta në të gjithë territorin shqiptar.
Referuar informacioneve nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, vlerat termike rezultojnë 1 deri në 2 gradë Celsius mbi mesataret e kësaj periudhe të viteve të shkuara, ndërsa moti i nxehtë do të mbetet i pranishëm edhe përgjatë ditëve të premte dhe të shtunë.
“Vendi ynë vijon të ndikohet nga anticikloni afrikan dhe, në këtë mënyrë, për fundgushtin që jemi, vlerat, kryesisht të temperaturave të mesditës, janë një deri në dy gradë më të larta se në fundgushtet e viteve të kaluara.
Temperaturat në mesditë do të vijojnë të mbeten të larta ditën e nesërme dhe të premten, me vlera deri në 40–41 gradë celsius, kryesisht në qytete si Berati, Gjirokastra dhe Elbasani. Edhe ditën e shtunë do të vijojnë të mbeten të larta, me vlera deri në 40–41 gradë”, deklaroi Elvi Jahaj, sinoptikan pranë Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.
Qytetarët janë përballur me një ndjesi ajri të rënduar dhe mbytës për shkak të këtyre masave ajrore.
“Përgjatë këtyre ditëve, përveç temperaturave të larta dhe ajrit të nxehtë, kemi patur edhe depërtim të pluhurit dhe rërës nga Afrika e Veriut, për shkak të anticiklonit afrikan, çka bën që temperaturat të ndihen disa gradë më të larta se sa janë realisht. Krijohet përshtypja e ajrit mbytës. Pra, temperaturat e larta dhe ajri i nxehtë, por edhe rëra dhe pluhuri, bëjnë që njerëzit të kenë ndjesinë e temperaturave shumë më të larta dhe të kenë edhe ndjesinë e mosngopjes me oksigjen”, shton Jahaj
Një ndryshim i kushteve meteorologjike parashikohet të ndodhë gjatë ditës së diel, me një ulje graduale të temperaturave që do të bëhet më e ndjeshme në fillim të muajit shtator.
“Duke filluar që nga dita e dielë, por edhe në fillim të javës së ardhshme, temperaturat, si në vlerat e mesditës, por edhe në vlerat minimale, pra në mëngjes, do të fillojnë të kenë një rënie graduale. Pra, nga 40 dhe 41 gradë celsius, mund të zbresin deri në 37 apo 38 gradë celsius në ultësirën perëndimore. Po ashtu, në vlerat e mëngjesit, që do të jenë të larta gjatë ditës së premte dhe të shtunë, në vlerat 26 deri në 28 gradë, do të zbresim në vlerat 22 deri në 24 gradë celsius”, theksoi ai.
Specialistët e meteorologjisë vërejnë se megjithëse raste të tilla të nxehti ekstrem janë shënuar edhe në të kaluarën, frekuenca e tyre është rritur ndjeshëm vitet e fundit.

