Vera nuk po ndalet: Elida Maloçali paralajmëron temperatura përvëluese në fillim të shtatorit
Pavarësisht se jemi në fillimin e një muaji të ri, ndikimi i verës mbetet i fuqishëm përmes temperaturave ekstreme, të cilat do të vazhdojnë të mbajnë vendin nën pushtetin e tyre gjatë gjithë shtatëditëshit në vijim.
Përmes një daljeje televizive, meteorologia Elida Maloçali ka bërë të ditur pritshmëritë për motin gjatë fundjavës dhe ditëve në vazhdim.
Ajo shpjegoi se fundjava do të dominohet nga moti i kthjellët dhe stabiliteti atmosferik në pjesën më të madhe të vendit. Megjithatë, për zonat veriore, parashikohen vranësira që gjatë orëve të mesditës mund të sjellin reshje të dobëta lokale.
Për sa i përket erës, ajo do të vijë nga perëndimi me një shpejtësi mesatare prej 7 m/s, ndërsa në zonat bregdetare jugperëndimore intensiteti i saj mund të shkojë deri në 15 m/s.
Vlerat termike do të jenë mjaft të larta, duke u luhatur në mëngjes mes 25 dhe 27 gradë Celsius, ndërsa kulmi i të nxehtit në mesditë pritet të arrijë në 41-42 gradë Celsius.
As në fillimin e javës së ardhshme nuk parashikohen ndryshime të rëndësishme, përveç pranisë së vranësirave kalimtare dhe erës që do të fryjë nga perëndimi me një shpejtësi rreth 4 m/s.
Termometri do të vazhdojë të regjistrojë vlera të larta, duke prekur shifrën e 39 gradë Celsius.
Në përfundim, pavarësisht kalimit të muajit, temperaturat mbeten tipike për kulmin e sezonit veror.

