Zhdukja misterioze e Bleona Matës, ku është ajo? Avokati i familjes sqaron të vërtetën

ShowBizi

Një ditë më parë, avokati Alban Duraj tha në emisionin “Breaking me Fiora Dardha” se dihet vendndodhja e Bleona Matës, e zhdukur prej 16 vitesh. Sipas tij, vajza që tashmë është 22 vjeçe, është një studente ekselente dhe është e birësuar nga një çift grek.

Këto detaje i ka hedhur poshtë sot avokati i nënës së Bleonës, Idajet Beqiri. Gjatë një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” me Sidorela Gjonin, ai u shpreh se këto janë deklarata të papërgjegjshme dhe se Duraj nuk ka asnjë lloj lidhje me çështjen. Sipas Beqirit, ai është nxituar.

“Jo vetëm që është e papërgjegjshme, por krijon probleme ligjore, e hedh organin e akuzës në një drejtim që nuk duhet të shkojë. Gjithashtu ka probleme të rëndë me familjen, nënën e Bleonës, njerëzit e tjerë të dashur, vëllain e saj. Ua ngacmon plagën padrejtësisht. Ky person nuk ka lidhje, nuk e di pse është futur këtu”, tha avokati.

Lidhur me nënën e Bleonës, zonjën Bukurie, Beqiri tha se ajo thashme është mësuar me kështu deklaratash pasi edhe në rrjetet sociale çfarë nuk thuhet.

“Dikush thotë është martuar këtu, dikush e gjetëm këtu, dikush thotë është adoptuar. Ka plot teori. Me dhimbje i pret të gjitha, edhe këtë deklaratë, por e di që është një gënjeshtër, mashtrim i madh”, tha avokati.

I pyetur nëse ka informacione se për kë bëhet fjalë, për vajzën që përmendi avokati Duraj, Beqiri tha se ‘nuk ka lidhje dhe se është sajesë e turpshme’.

“Madje është vepër penale. Nuk dua të flas shumë për të, komuniteti jonë ka lloj-lloj njerëzish. U bë vetting gjithandej, por duhet bërë dhe brenda avokatëve. Çfarë nuk po dëgjojmë”, vijoi avokati.

Sipas Beqirit, hetimet për rastin e Bleonës janë në një drejtim tjetër dhe këto deklarata thjeshtë shpërqendrojnë vëmendjen. Ai shton se është një situatë jo normale në hetimet e kësaj çështje.

“Është si puna e kungulleshkës, një erë e merr çështjen Prokuroria e Kukësit dhe e ndalon, e dërgon te Policia. Kjo e merr dhe e kthen sërish te Prokuroria që më pas ia dërgon SPAK. SPAK nuk bën gjë. Momentalisht është çështje e ‘vdekur’, është e pezulluar, nuk ka ndonjë gjë konkrete në drejtimin e duhur. Është një fatkeqësi e madhe, në krim kaq i madh prej 16 vitesh, sot vajza është 22 vjeçe, nuk merr drejtimin e duhur çështja”, përfundoi avokati Beqiri.

Burimi: top-channel.tv

Lajmet e fundit