Zjarret në Krujë, banorët kthehen në shtëpi: Ja si u shpëtuan banesat nga fIakët
E shtuna mbrëma ka qenë mjaft e tensionuar, pasi zjarret e përhapura me shpejtësi kërcënuan gjithçka përreth. Ekipet e zjarrfikësve punuan pa ndërprerje për orë të tëra, duke u përpjekur me çdo mjet të mundshëm që t’i vinin fre flakëve dhe të siguronin mbrojtjen e shtëpive të kërcënuara.
Bilanci i kësaj ngjarjeje është pozitiv, pasi asnjë shtëpi nuk është dëmtuar dhe nuk raportohet për asnjë person të lënduar, qofshin këta banorë apo zjarrfikës. Sipas raportimeve të fundit, të gjitha vatrat në zonën e Krujës janë neutralizuar plotësisht dhe banorët që u desh të evakuoheshin gjatë natës janë kthyer tashmë në banesat e tyre.
Përfaqësuesi i PD-së, Aulon Kalaja, i cili ka qenë pjesë e terrenit përgjatë gjithë natës, ka ndarë me publikun një çast tejet prekës. Ai ishte në mbështetje të banorëve të një shtëpie, e cila rrezikohej drejtpërdrejt nga përparimi i zjarrit në afërsi.
Shtëpia në fjalë ia doli të mos prekej nga flakët, duke sjellë momente të mëdha emocionesh për pronarët, të cilët jetuan me ankthin e humbjes së çatisë së tyre për një kohë të gjatë.
Siç vërehet edhe në pamjet e publikuara, pas shuarjes së zjarrit zona duket si një peizazh i shkrumbuar, me bimësi të djegur dhe mbetje hiri. Për të arritur këtë rezultat, u ndërmor një aksion gjithëpërfshirës që përfshiu ndërhyrje nga toka dhe ajri, me fokus kryesor garantimin e sigurisë së banorëve dhe pronave të tyre.
Në operacion u angazhuan më tepër se 200 punonjës nga emergjencat civile dhe Forcat e Armatosura, së bashku me 80 zjarrfikës. Për koordinimin e ndërhyrjes u vunë në punë 21 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë, mjeti ajror pa pilot Bayraktar TB2, si dhe dy dronë të pajisur me sensorë termikë nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

