Xhensila i përket të shkuarës, Bes Kallaku i jep fund beqarisë?
Pikëpyetje të shumta kanë lindur së fundmi pas një lëvizjeje të Bes Kallakut në rrjetet sociale, ku një detaj specifik në foton e tij të fundit ka bërë që ndjekësit të spekulojnë për një ndryshim të madh në statusin e tij dashuror.
Në imazhin e postuar, aktori dhe këngëtari shihet teksa lutet përpara një kryqi, por vëmendja e publikut është fokusuar tek unaza që ai mban në gisht, duke nxitur menjëherë hamendësime për një mundësi fejese apo kurorëzimi të marrëdhënies së tij. Përtej komponentit shpirtëror të imazhit, aksesori në dorën e tij ka shërbyer si elementi kyç që ka ndezur diskutimet.

Përtej kësaj, edhe zgjedhjet e tjera shoqëruese të postimit kanë shtuar kuriozitetin. Imazhi është publikuar nën tingujt e këngës “Happiest Year” të këngëtarit Jaymes Young, e cila përmban vargun kuptimplotë: “Faleminderit për vitin më të lumtur të jetës sime”.
Nga ana e tij, Besi ka preferuar të jetë tejet koncik në përshkrimin e kësaj fotografie, duke shkruar thjesht: “Faleminderit Zot”.
Ky zhvillim ndodh në një kohë kur artisti nuk e mban më të fshehtë historinë e tij me partneren, Ejonën. Në fillim të vitit, ai bëri publik një tatuazh me emrin e saj, ku krahas datës 25.12.2025, shkruhej edhe dedikimi “Trëndafil në kohë lufte”.
Në një tjetër moment, gjatë një prej performancave të tij, Kallaku ndau me publikun rolin domethënës që ajo ka luajtur në jetën e tij, duke rrëfyer se si ajo ia ktheu gëzimin në një fazë të vështirë, ndërsa e përmbylli fjalën e tij me deklaratën e hapur: “Ejona, të dua!”.
Pavarësisht faktit se ai ka ndarë imazhe ku shfaqet në krah të saj, dyshja ka preferuar të ruajë privatësinë, duke mos e ekspozuar kurrë portretin apo identitetin e plotë të Ejonës.
Kjo tendencë për të mbrojtur jetën personale është pikërisht arsyeja pse unaza, kënga e përzgjedhur dhe mbishkrimi “Faleminderit Zot” po shihen nga ndjekësit si tregues se çifti mund të ketë hedhur një hap drejt një etape të re.

