Reperi i njohur Gjiko ishte mbrëmjen e sotme i ftuar në emisionin “Më lër të flas”, ku foli publikisht për lajmet që kanë qarkulluar në rrjet, sipas të cilave ai ka abuzuar seksualisht me një 15 vjeçare në vitin 2015.
Gjiko rrëfeu se ka qenë në gjendje të rënduar emocionale, por është munduar të mbahet si i fortë. Reperi i hodhi poshtë të gjitha akuzat, duke thënë se nëse vërtetë do të ekzistonin video dëshmi, atëherë ai do të ishte në burg.
“Gjendja emocionale ka qenë shumë e rëndë për mua, edhe pse mundohem të jem sa i fortë psikologjikisht. Kur lexon në një gazetë që thotë ekziston një video dëshmi që Gjiko e ka bërë këtë krim… nuk e di si mund ta besojnë njerëzit, kur shteti po ta ketë atë provë, të fut në burg. Si mundet një portal të japë moshë, të thotë që ekziston video, dhe shumë gjëra të tjera. Unë e di që nuk ka shkuar asnjë person për mua në polici dhe të thotë që ky më ka përdhunuar.
Nëse ekziston një njeri që një herë në jetë, jo vetëm për këtë, por dhe për diçka më të lehtë, sikur t’ia kem prishur qejfin njëherë, të dalë lirshëm në televizor dhe ta thotë.
Do të doja të flisja më shumë, por me sa kam folur me avokatët, këto që po themi këtu, do të shkruhen në portale dhe mund të shtrembërohen. Le ta dinë të gjithë që herët apo vonë, e vërtetë ka për të dalë. Herët apo vonë, ata që kanë dashur të më njollosin, do të dalin para gjyqit. Edhe ata persona të njohur, që kanë ndikim dhe kanë shkruar në rrjete sociale diçka që nuk është e vërtetë do të mbajnë përgjegjësi”, u shpreh Gjiko.