“Telenovela” Bora- Donald mban mbërthyer shqiptarët prej muajsh tashmë. Çifti, i cili është ribashkuar së fundmi, duket se ka zgjedhur ta mbajë sa më intim këtë pajtim, aq sa edhe takimet e tyre i bëjnë jashtë Shqipërie.
Por teksa të gjithë janë të etur t’i shikojnë sërish së bashku, një skenar i ngjashëm ka gjasa të ndodhë në sezonin e ri televiziv. Prej javësh po përflitet se Bora Zemani do të largohet nga “Përputhen”.
Bora Zemani shënjoi një tjetër pikë të karrierës së saj, ku përgjatë dy viteve moderoi emisionin dedikuar dashurisë. Por gjasat janë që ky rrugëtim i saj mund të përfundojë. Tashmë që sezoni televiziv është në mbyllje, në “Top Media” po përflitet për ndryshime të mëdha, që do të prekin edhe moderatoren e njohur.
Kështu, sezoni i ardhshëm do të rikthejë një format të dashur për shqiptarët. “Dancing With the Stars” pritet të nisë vitin e ardhshëm dhe nga diskutimet e deritanishme, spektakli do t’i besohet Bora Zemanit.
Ndërkohë “Dancing With the Stars” do të ketë si kryetar jurie Ilir Shaqirin dhe tashmë stafi ka nisur përzgjedhjen e VIP-ave që pritet të marrin pjesë përgjatë spektaklit.
Një ndër emrat më të lakuar është edhe Donaldi. Duket se produksioni do të vendosë përballë çiftin, këtë herë në një shfaqje kërcimi, ku Bora do të moderojë, ndërsa Donaldi do të jetë ndër konkurrentët.
Kjo nuk është hera e parë që Donaldi merr pjesë në një sfidë kërcimi. Edhe vite më parë, aktori ishte pjesë e “Dance With me”, ku si partnere kishte pikërisht Monika Lubonjën.
Kanë qenë pikërisht këto momentet, ku Donaldi dhe Bora nisën raportin e tyre. Duket se tashmë që ribashkimi është konfirmuar, do të jetë sërish një sfidë kërcimi që do të bëjë bashkë dy “kolegët”.
Megjithatë, gjithçka është ende në fazat e para dhe do të na duhet të presim minimumi shtatorin për të parë se si do të konkretizohet vijimi i “telenovelës” mes tyre.
Shto këtu faktin që pjesë e këtij formati do të jetë edhe Ilir Shaqiri, çfarë pritet të vijojë me batutat dhe “armiqësitë” e tij me rivalin nga Big Brother.
Ditët e fundit vëmendja për Borën dhe Donaldin është shtuar, kjo pasi çifti u kap mat në të paktën dy raste teksa gjendeshin së bashku në Itali. Duket se jo të gjithë e kanë pritur mirë ribashkimin e tyre. Ata kanë zgjedhur të shijojnë në fshehtësi rikthimin në krahët e njëri-tjetrit, por nuk u kanë shpëtuar syve të njerëzve edhe jashtë Shqipërisë, ku janë fotografuar bashkë.