Edi Rama ka reaguar sërish pas vdekjes së 7-vjeçares, të cilës iu mor jeta ditën e djeshme në Potam të Himarës, nga “polici skafist”. Sipas Ramës, ngjarja është një tragjedi, por ky sezon është më i organizuar dhe më i rregullt se vitet e tjera.
Pavarësisht ngjarjes, kryeministri Rama vazhdon që të mbrojë personat përgjegjës të kësaj ngjarje. Pikërisht ata që kanë lejuar skafet deri në brg të detit janë shefat e policisë dhe ministrat që Rama aq shumë i do.
Rama shkruan:
Uroj edhe njëherë që drejtësia t’i japë ndëshkimin më ekstrem fajtorit për këtë tragjedi! Sa për çetat e udhëhequra nga nongratat dhe nga ata me identitet të dyfishtë që kërkojnë ta kthejnë këtë vdekje tragjike në motiv lufte politike, kjo s’është as e para as e fundit herë kur një fatkeqësi që trondit shoqërinë, ekspozon shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre!
Shkarkimi i gjithë trupës së drejtorisë së kufirit Vlorë dhe vendosja e një fokusi të shtuar mbi qarkullimin ujor,janë hapat e duhur që do të pasohen nga hapa të tjerë,në kushtet kur rritja e përvitshme e numrit të mjeteve lundruese përbën një sfidë të vazhdueshme për të gjithë!
Vizioni i Shqipërisë turistike dhe ambicia që kjo të jetë dekada e kthimit të vendit tonë në kampionin rajonal të turizmit, lidhet edhe me rritjen e lartë të mjeteve lundruese dhe sfidën e disiplinimit të tyre, që nuk është një fjalë goje në një vend ku deri dje ato s’ekzistonin! Tragjedia e djeshme ka tronditur të madh e të vogël dhe ka krijuar një ndjenjë të rëndë shqetësimi, ndërkohë që Policia e Shtetit po merr të gjitha masat për të reaguar shumë më fort ndaj sfidës së garantimit të rendit ligjor jo vetëm në qarkullimin rrugor, po edhe atë ujor.