Gazetarja Esmeralda Keta është një prej dëshmitareve të ngjarjes së rëndë që ndodhi ditën e djeshme në plazhin e Potamit. Gazetarja ishte duke pushuar me familjen dhe fëmijët e saj kur pa se si skafi i policit Arjan Tase i mori jetën një vajze 7-vjeçare.
Duke folur për mediat, gazetarja ka treguar momentin kur vajza u godit nga skafi dhe fill pas kësaj dëgjoi ulërima dhe pa njerëz që shtrëngonin kokën me duar.
Ajo tregoi gjithashtu se pa trupin e vogëlushes në breg të detit dhe se skafi po bënte rrotullime të pakontrolluara.
Nuk e pashë momentin kur u godit vajza, por dëgjuam ulërima. Më pas pamë njerëz që shtrëngonin kokën me duar. Mora fëmijët e mi, i nxora nga deti. Pastaj fatkeqësisht pashë një trup fëmije buzë detit. Ishte një ngjarje shokuese dhe për mënyrën se si e vogla iku nga kjo jetë. Trupi i dëmtua rëndë, mjeti kishte fuqi motorike të lartë. Njerëzit mes asaj dhimbje gjetën kurajën t’i kërkonin llogari personit përgjegjës. Pashë vetëm momentin e fundit kur skafi po bënte disa rrotullime sepse e kishte humbur kontrollin, pasi kishte goditur fëmijën. Këputi një nga litarët e kordonit të sigurisë. Drejtuesi i mjetit kishte një moment kur vendosi duart në kokë. Pushuesit iu afruan kërkuan llogari. Kur u mor vesh që kishte shërbyer në Komisariatin e Himarës dhe mbante veshur uniformën e policisë pati dyshime për manipulim provash.