Sigurisht, historiani i librit nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në bibliograf, por, nga ana tjetër, në punën e tij ai nuk bën të reflektojë naivitet bibliografikose përfillje të bibliografisë si një fushë të parëndësishme studimi.
Debati për qasjet divergjente ndaj librit, të bibliografit përkundrejt historianit të librit, “ndizet” kur flitet për shkrimin e historisë së librit. Në të vërtetë, interesat kryesorë të shumicës së bibliografëve nuk janë më kryekëput dhe vetëm te përshkrimi, por edhe te studimi i historisë së realizimit dhe përdorimit të librave dhe dokumenteve të tjera bibliotekare.
Pra, historia e librit nuk është e huaj për bibliografin, sado që ai është i vendosur mirë në llogoren tradicionale të përshkrimit. Disiplinat e tjera si historia dhe, veçanërisht, historia kulturore po bëhen çështje të bibliografisë.
Nga ngurrimi për pranimin e bibliografisë historike si bibliografi e mirëfilltë po kalohet te mendimi që e gjithë bibliografia ka një thelb historik në vetvete.