Për trajtat e tjera të emrave të autorëve, shpesh mjaft të rëndësishme si burim informacioni ose pika hyrëse në bibliografi, përdoruesit orientohen nga referimet përkatëse në Treguesin e autorëve, ku krahas trajtës standarde, janë pasqyruar në formë referencash të gjitha trajtat e tjera të emrave të autorëve të gjetura në faqen e titullit, përfshirë edhe iniciale ose pseudonime.
Në rastin e veprave apokrife, pra me autor të paqartë ose të pasigurt, nuk është mbajtur anësi pro ose kundër.
P.sh. për përkthimin e librit “De imitatione Christi” është respektuar zgjedhja e botuesit në shqip, i cili ka dhënë si autor edhe njërin edhe tjetrin prej dy të hamendësuarve, duke i shtypur emrat e tyre me shkronja të zeza: KEMPIS dhe GIOVANNI GERSEN (regjistrimi nr. 96). Te Treguesi i autorëve janë shënuar emrat e të dyve: Thomas à Kempis dhe Giovanni Gersen.