Gjermania ka vendosur të mbyllë baret dhe restorantet në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri. Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se kufizimet e reja do të hyjnë në fuqi nga data 2 nëntor.
Në kuadër të masave të reja, gjithashtu do të kufizohet numri i njerzve në tubime me një maksimum prej 10 personash. Shkollat dhe dyqanet megjithatë do të lejohen të qëndrojnë të hapura, tha Merkel.
“Këto janë masa të vështira”, u tha Merkel gazetarëve, duke shtuar se, firmat e goditura nga ky bllokim i pjesshëm i ri do të kenë mbështetje financiare nga qeveria.
“Ne do të kompensojmë kompanitë, institucionet dhe klubet e prekura. Ne duhet të veprojmë dhe duhet të veprojmë tani – për të shmangur një emergjencë shëndetësore kombëtare”, tha Merkel.
Gjermania të mërkurën raportoi për gati 15 mijë raste të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 464,239.Më 28 tetor u raportua edhe për 85 të vdekur. Numri i përgjitshëm i vdekjeve ka arritur në 10,183.
“Nëse presim derisa njësitë e kujdesit intensiv të mbushen, atëherë është tepër vonë”, tha ministri i Shëndetësisë në Gjermani, Jens Spahn, i cili javën e kaluar doli pozitiv në koronavirus.