Mbrëmjen e së dielës, objekti i “Top Channel” u godit me një breshëri plumbash, ku mbeti i vdekur një punëtor i sigurisë.
Pas kësaj ngjarje tragjike të paprecedentë në ndonjë televizion, reagimet ishin të mëdha, ku edhe është dënuar ky sulm që po konsiderohet “terrorist”, shkruan lajmi.net.
Edhe pse ende nuk dihen arsyet që dërguan deri tek kjo ngjarje, në opinion po flitet se është kërkuar mbyllja e “Big Brother VIP Albania”.
Përkatësisht, gazetari, Artan Hoxha, ka thënë se kompania “Endemol” që lëshoi patentën e këtij formati ka kërkuar mbylljen e tij.
Lajmi.net i ka dërguar pyetje kompanisë së të drejtave të formatit “Big Brother”, për t’i pyetur nëse ata janë në dijeni në lidhje me ngjarjen e ndodhur në “Top Channel” dhe a kanë kërkuar mbylljen e formatit shqiptar.
Ani pse kanë kthyer përgjigje, ata kanë refuzuar të flasin në lidhje me këtë.
“Kam pranuar emaili-n tuaj lidhur me Top Channel dhe Big Brother. Ne nuk e komentojmë situatën e ndodhur”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Por ata kanë lënë të hapur mundësinë se lidhur me ngjarjen mund të ndryshojë vijueshmëria.
“Nëse ndryshon diçka mbi situatën, do të ju njoftojmë”, kanë shkruar tutje ata në përgjigjen dhënë lajmi.net.