E larguar prej tre ditësh nga banesa, 14-vjeçarja me iniciale J. M , nuk ka dhënë asnjë shenjë komunikimi me familjen e saj. E mitura, nxënëse e klasës së 8 në shkollën 9-vjeçare “Koli Dimo” në Frashër është larguar me një valixhe nga shtëpia.
“Nuk më tregonte asnjë gjë. Ishte tip i mbyll. Të keqen mami hap sytë. Në dijeni vetëm që më thanë shoqet që ikte nga shkolla. Nuk e di çfarë mund të ketë ndodhur. Ka marrë rrobe, sandale, shapka, krehëra, tharëse. Në shtëpi bënte ndonjë punë”, u shpreh mamaja.
Sipas prindërve vajza është parë në terminalin e Fierit ku është larguar drejt Tiranës.
“Mua më ka ikur vajza në orën 6 e gjysmë të mëngjesit me datë 22. Ka shkuar deri në Fier, deri te Pallati me Qypa ka ikur në këmbë. Ka hipur te terminali atje dhe ka zbritur te terminali në Tiranë. Kur ka dalë vetëm valixhen me rrobat dhe telefonin ka marrë”, tha babai.
Prindërit Artjan dhe Luiza Metaj bëjnë apel njëzëri që vajza të kthehet sa më parë në shtëpi.
“Dua ndihmë nga shteti. Shteti të bëjë të veten. Derisa i hynë asaj pune të ndihmojë shteti. Ku ta gjej vetë unë? Shteti të ma kapë dhe të ma bjerë në dorën time që e gjeti. Nuk kam ku bredh ku e gjej”, tha mamaja.
Ata kanë bërë denoncim në Komisariatin e Policisë Patos dhe kanë kërkuar ndihmën e uniformave blu për ta gjetur. Sipas prindërve vajza ka mbyllur telefonin dhe që prej mesditës së djeshme nuk përgjigjet në telefon.
Babai: I kam rënë atë ditë. Ka qenë hapur, pastaj është mbyllur.
-Ka pasur ndonjë motiv për t’u larguar?
Babai: Jo.
-Ndonjë të dashur?
Babai: Mirë e bëre që e the, por nuk di gjë. Nuk kam marrë vesh asnjë gjë.
-Nuk kishte dhënë shenja?
Babai: Fare, fare, fare!/tvklan.al