Një ëndërr e shuar/ Donte të bëhej futbollist i madh, Noeli 15-vjeçar humb b*tejën me t*morin
Sot morëm lajmin se Noeli nuk ia doli të triumfojë. Adoleshenti që ushqente pasionin e zjarrtë për futbollin, pas një lufte të gjatë dhe sfilitëse me një tumor në kokë, ka ndërruar jetë.
Sportisti 15-vjeçar i ekipit të Apolonisë në Fier, ka lënë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm. Humbja e tij ka përlotur prindërit, motrën Anja, si dhe të gjithë rrethin e miqve, familjarëve dhe bashkëlojtarëve që mbajtën shpresat gjallë deri në momentet e fundit.
Solidariteti për Noelin ishte i jashtëzakonshëm. Gjatë vitit të kaluar, thirrjet në rrjetet sociale për të siguruar mjekim të specializuar jashtë shtetit bashkuan shqiptarët gjithandej. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve maksimale të familjes, mbështetjes së gjerë popullore, rezistencës së vetë djaloshit dhe ndërhyrjeve mjekësore, sëmundja u tregua fatale për një të ri me kaq shumë plane për të ardhmen.
Lajmërimin e kësaj ndarjeje të dhimbshme e ka bërë publik babai i adoleshentit, i cili në kulmin e vuajtjes shpirtërore ka ndarë me publikun trishtimin për humbjen e të birit.
“Me hidhërim të thellë e me dhimbje të madhe ju njoftojmë se sot u nda nga jeta djali jonë i shtrenjtë Noel Cura. I paharruar qofsh Biri Im!”, shkruan ai.
Noeli tregoi forcë të madhe deri në fund. Një djalë plot energji, që dikur shkëlqente në fushat e blerta me topin në këmbë, tashmë nuk do të jetë më mes nesh. Edhe pse sëmundja ia mori frymën, ajo mbetet e pafuqishme përballë kujtimeve, qeshjeve dhe dashurisë së tij që do të mbeten të gdhendura tek ata që e njohën.
Nesër do të jetë një ditë vërtet e vështirë, jo vetëm për familjen e tij, por edhe për të gjithë ata që u solidarizuan me rastin e tij. Ceremonia e varrimit do të mbahet në varrezat e Fierit, ku miq, të afërm dhe shokë skuadre do t’i thonë lamtumirën e fundit 15-vjeçarit.

