Humbje për arsimin dhe artin, ndahet nga jeta mësuesja e njohur!

Te Fundit

Komuniteti i Kurbinit është përfshirë nga trishtimi për shkak të ndarjes nga jeta të artistes dhe mësueses Leze Rrika, e cila humbi betejën e gjatë me një sëmundje të rëndë gjatë ditës së sotme.

Kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, njoftoi për këtë humbje përmes një shkrimi në rrjetet sociale, duke vënë theksin te fakti se largimi i hershëm i mësueses është një goditje e rëndë për familjarët, të afërmit, por edhe për të gjithë qytetarët e zonës.

Në mesazhin e saj, Cara vlerësoi përkushtimin e Rrikës në zhvillimin kulturor dhe artistik të Kurbinit, duke theksuar ndikimin e saj të pashlyeshëm te nxënësit dhe gjithë bashkëpunëtorët që ndanë me të dashurinë për artin. Në mbyllje të reagimit, ajo përcolli ngushëllimet për familjen.

E ndjera Leze Rrika, përveçse si arsimtare, ishte e njohur edhe për rolin e saj si koreografe dhe drejtuese e shkollës 9-vjeçare në Zhejë. Ajo shquhej për angazhimin aktiv në jetën publike, duke ndihmuar në organizimin e eventeve historike e kulturore dhe duke u bërë një figurë kyçe në ruajtjen e traditave të zonës.

Postimi i Majlinda Carës:

Me dhimbje të thellë mësuam për ndarjen e parakohshme nga jeta, pas një sëmundjeje të rëndë, të mësueses dhe artistes Leze Rrika.

Ikja e saj është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe të afërmit, por edhe për komunitetin e Kurbinit, të cilit ajo i kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës së saj.

Me përkushtimin në arsim dhe me kontributin e çmuar në jetën kulturore e artistike të Kurbinit, Leze Rrika la gjurmë të pashlyeshme te brezat që edukoi dhe te njerëzit me të cilët ndau pasionin për artin e kulturën.

Kujtimi, vepra dhe përkushtimi i saj do të mbeten gjithmonë të gjalla në kujtesën e komunitetit dhe të të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan.

Në këto momente të dhimbshme, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj, të afërmit, miqtë dhe kolegët.

I paharruar qoftë kujtimi i saj!

Lajmet e fundit