Shumë bujë bëri deklarata e Thaçit kur paralajmëroi largimin e tij nga skena politike dhe se më nuk do të kandidojë përsëri për president. Por disa muaj më vonë, ai si duket është penduar, duke thënë se Specialja i bëri telashe, se në të kundërtën do të isha edhe një herë president i vendit – shkruan Syri.net Kosova.
Thaçi për herë të parë lajmin për moskandidimin e tij për president e tha në një intervistë për SYRI TV. Ai tha se nuk do t’i kthehet rrugës që ka kaluar në momentin që do t’i përfundojë mandati.
“Unë nuk do jem kandidat për president në zgjedhjet e ardhshme. Pas disa muajsh nuk do mendoj se do rikandidohem për president. Do kem një jetë tjetër. Është e mjaftueshme pas dy dekadash me përgjegjësi politike. Unë largohem në rrethana kur vendi është në drejtimin e duhur”, ishte shprehur në qershor të 2020.
E gjashtë muaj pas, kur Gjykata Speciale ende nuk ka dalë publikisht me një qëndrim nëse i është konfirmuar aktakuza apo jo, e ngritur nga Prokurori i Specializuar, thotë se edhe një mandat pesëvjeçar mund të bëhej President.
Ai për më tepër tha se për këtë edhe i është ngritur propozim akuza nga Gjykata Speciale për ta ndaluar atë në rrugëtimin e tij politik.
Sipas tij, edhe subjektet tjera politike e duan atë për shef të shtetit.
“Tani vinë javët ku unë do ta fitoja mandatin si President i Kosovës sigurt, po them potencialisht do ta fitoja edhe një mandat sepse oferta është prej shumicës nga subjektet politike dhe tash varet ky proces nga zhvillimet e dhomave të specializuara, uroj që të jenë të gjitha rastësi” – ishte deklarata e Thaçit për një nga televizionet e Shqipërisë.
Ndaj këtij ndryshim qëndrimi të presidentit nuk po befasohet analisti Xhevdet Pozhari, e që këtë e përmbledh me një proverb.
“Proverbi thotë se “dhelpra kur nuk e arriti rrushin, tha se nuk e dua”. E, njëjta vlen në këtë rast edhe për deklarimet e presidentit Hashim Thaçi, i cili jo shumë herë është shquar për jokonsistencën e tij. Një prej rasteve është edhe trysnia e tij mbi deputetë që të themelohet Gjykata Speciale dhe më pas përpjekja e tij për ta shfuqizuar atë”.
Pozhari në prononcim për Syri.net shton se deklarimet e fundit të Thaçit vijnë pasi e ka kuptuar që po bie në gropën që ia ka bërë të tjerëve.
“Deklarimet e tij të fundit janë të një njeriu që sot e kupton se vetë do të bie në gropën që gabimisht mendonte se ua përgatiti të tjerëve. Ai e sheh fundin e tij politik dhe kjo veç flet për pangopësinë e tij për pushtet si njeri që ka kaluar nëpër të gjitha pozitat e larta shtetërore dhe ende mendon se populli ia ka me borxh, veçanërisht pasi që qeverisjet e tij bartin hijen e rëndë të aferave nga më të ndryshme korruptive dhe të asaj që njihet si kapje e shtetit. Koha e tij në politikë po përfundon dhe njerëzit si Thaçi, që pas luftës u pritën si heronj mbi kali, sot ikin kokëulur mbi gomarë” – përfundon Pozhari.
Lëvzija Vetëvendosje në vazhdimësi ka akuzuar LDK-në se po tenton t’ia zgjasë shefllëkun Thaçit.
Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu kishte deklaruar në maj të këtij viti se kanë informacione se LDK-ja si shpagim për mundësinë e formimit të qeverisë, mund të votojë Thaçin sërish për president.
“Kam dëgjuar edhe një rrezik që mund të ndodh, që ne do të angazhohemi që kjo mos të ndodh. Presidenti Thaçi të ketë edhe një mandat. Kjo të ishte fatkeqësi e madhe për Kosovën dhe për interesat e qytetarëve të Kosovës”, thotë ajo.
Mirëpo ndaj kësaj deklarate kishte reaguar Lutfi Haziri i LDK-së, duke hedhur poshtë këto deklarata.
Edhe AAK, përmes nënkryetarit Ardian Gjini, kishte thënë se subjekti i tij e ka ndarë mendjen që të mos ta votojë Thaçin për president.
Ndryshe, është pikërisht posti i presidentit që po e përçanë koalicionin qeverisës.