Njëri prej tyre me gjysmën e trupit të dj*gur/ Zbardhen detaje të rënda nga tr*gjedia në Porto Palermo
Bëhet e ditur identiteti i katër personave që pësuan lëndime të rënda nga një shpërthim zjarri në Porto Palermo, ngjarje e ndodhur teksa po kryheshin punime në motorin e një mjeti lundrues.
Të dëmtuarit nga ky incident janë shtetasit Mateo Merdanaj, 25 vjeç, Aleks Doda, 18 vjeç, Xhemal Ismailaj, 40 vjeç dhe Ardinant Qaziu, 38 vjeç. Për shkak të plagëve të marra në pjesë të ndryshme të trupit, ata fillimisht morën ndihmën e parë në Himarë, u dërguan në Vlorë dhe më pas u përcjellin drejt kryeqytetit për trajtim më të avancuar mjekësor.
Incidenti ndodhi gjatë orëve të mbrëmjes së të hënës. Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se gjatë riparimit të motorit ka ndodhur një ndezje e menjëhershme e benzinës që gjendej në serbator ose përreth zonës së punës. Një nga pistat që po hetohet lidhur me shkëndijën që shkaktoi zjarrin është ndezja e një cigareje nga ndonjëri prej të pranishmëve.
Flakët u përhapën me shpejtësi në vendin ku ata po punonin, duke shkaktuar djegie te të katër personat. Ata u dërguan pa vonesë pranë Qendrës Shëndetësore të Himarës për t’iu nënshtruar trajtimit fillestar.
Bazuar në informacionet e para, gjendja e disa prej të dëmtuarve paraqitet mjaft shqetësuese, ku njëri prej tyre raportohet me djegie në rreth 50% të trupit, ndërsa një tjetër ka pësuar dëmtime edhe më të mëdha. Kjo situatë ka detyruar mjekët të kërkojnë transferimin e tyre drejt spitaleve të specializuara.
Në një njoftim zyrtar, Policia deklaroi se rreth orës 19:20, në Qendrën Shëndetësore Himarë janë paraqitur katër qytetarë me djegie. Verifikimet fillestare treguan se dëmtimet erdhën si pasojë e kontaktit me lëndën djegëse gjatë punës për riparimin e një skafi në Porto Palermo.
Aktualisht, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë, grupi hetimor po vijon veprimet për të zbardhur dinamikën e ngjarjes dhe shkaqet e sakta të përhapjes së zjarrit. Hipoteza mbi shkaktimin e zjarrit nga një cigare është ende subjekt verifikimi, ndërsa njoftime të mëtejshme priten nga autoritetet policore.
Vlen të theksohet se kjo ngjarje ndodh vetëm një ditë pasi një zjarr tjetër ra në hotelin “Brooklyn” në zonën e Vorës, ku mbetën të plagosur gjashtë pushues. Sipas raportimeve, dy prej tyre ndodhen ende në gjendje shëndetësore delikate.

