‘Mbase gënjeva…’ Neda Balluku rrëfen për herë të parë të vërtetën e martesës së saj

Te Fundit

Nëpërmjet një rrëfimi të hapur në rrjetet sociale, Neda Balluku ka ndarë me ndjekësit detaje personale mbi mënyrën sesi ka zgjedhur të shfaqet para publikut gjatë viteve të fundit.

Ish-opinionistja e formatit Big Brother VIP Albania 4 ka pranuar se për një periudhë të gjatë kohore, realiteti i jetës së saj private dhe familjare nuk ka qenë plotësisht në përputhje me perceptimin që ajo ka përcjellë.

Duke reflektuar gjatë mbi këtë eksperiencë në Instagram, Balluku shpjegon se ajo çfarë shfaqej publikisht ishte shpesh reflektim i dëshirës së saj të brendshme për ta parë familjen ashtu siç e kishte ëndërruar.

“Mbase gënjeva. Gënjeshtrat e mia nuk ishin të errëta, por nuk ishin as të bardha”, shkruan ajo.

Sipas shpjegimit të saj, qëllimi nuk ka qenë asnjëherë keqdashës ndaj audiencës, por më tepër një përpjekje personale për të mbajtur gjallë besimin te një realitet që në fakt ishte i ndryshëm.

“Prej vitesh, edhe pse në një formë që më shumë lija të kuptohej sesa tregoja vërtet, krijova një perceptim të gabuar publik për sesi ishte jeta ime, marrëdhënia ime dhe familja ime”, rrëfen ajo.

Reflektimi i thellë i ka shërbyer Ballukut për të kuptuar se imazhi i servirur ishte “ëndërr dhe iluzion” i saj, i krijuar nga dëshira për të besuar se kishte arritur të ndërtonte familjen e dëshiruar.

Ndërkohë, ajo ka zgjedhur t’u kërkojë falje të gjithë atyre që e kanë mbështetur ndër vite, duke nënvizuar se vërtetësia mbetet themelore në raportin me ndjekësit.

“Ndjej fort, tepërmi, të të kërkoj ndjesë. Komunikimi me njerëzit duhet të jetë i sinqertë, i pastër, i vërtetë”, shprehet ajo.

Megjithatë, ajo sqaron se mbetet mbështetëse e idesë së familjes së shëndetshme dhe bashkëjetesës së ndërtuar mbi respektin dhe zgjedhjen e përditshme midis partnerëve.

“Zemra ime lëngon për këtë”, shkruan Balluku.

Duke e mbyllur rrëfimin, ajo tregon se prej rreth dymbëdhjetë muajsh po kalon një fazë të re në jetën e saj dhe shton se është e pamundur të kërkosh mirëkuptim nga të tjerët kur vetë asaj i janë dashur shumë vite për ta përballuar të vërtetën.

“Si mund të dinë të huajt të vërtetat e mia kur mua m’u deshën vite t’i pranoja dhe kuptoja vetë?!”, përfundon ajo.

Lajmet e fundit