Zbardhen detaje të tmerrshme nga aksidenti me 3 v*ktima në Manëz/ Cifti i sapo i martuar…

Te Fundit

Në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore vijojnë të jenë dy të mbijetuarit e aksidentit të ndodhur në orët e para të ditës në një aks dytësor të Manzës. Klevis Dervishi, 16 vjeç, dhe Rejsi Vrioni, 26 vjeç, po marrin trajtim intensiv mjekësor në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku u dërguan menjëherë pas ngjarjes.

Burime spitalore bëjnë të ditur se të dëmtuarit kanë pësuar lëndime të rënda fizike, ndërsa mjekët mbeten në pritje të zhvillimeve në orët e ardhshme, të cilat do të jenë përcaktuese për jetën e tyre.

Ngjarja ndodhi rreth orës 02:22, kur një mjet tip BMW me pesë pasagjerë doli nga rruga dhe u përplas dhunshëm me një bazament betoni.

Si pasojë e përplasjes së fuqishme, automjeti u rrokullis disa herë. Bilanci i këtij aksidenti ishte tragjik, pasi tre prej të rinjve humbën jetën: drejtuesi Kleo Vrioni, bashkëshortja e tij, Sara Brugentelli, si dhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri.

Siç kemi raportuar më parë, çifti ishte martuar vetëm pak ditë përpara kësaj ngjarjeje të rëndë, kur drejtuesi dyshohet se humbi kontrollin mbi mjetin.

Dyshohet se të rinjtë ishin duke u kthyer nga një lokal në Gjirin e Lalzit ku kishin festuar.

Ky detaj ka bërë që hetuesit të vlerësojnë mundësinë nëse konsumimi i alkoolit ka ndikuar te gjendja e drejtuesit, ndonëse konfirmimi do të vijë vetëm pas analizave laboratorike. Hetimi po shqyrton një sërë faktorësh që mund të kenë ndikuar në këtë përplasje fatale.

Përveç shpejtësisë së lartë, e cila mbetet pista kryesore e hetimit për shkak të dëmeve të mëdha në automjet, vëmendja është përqendruar edhe te kushtet e rrugës.

Aksi rrugor ku ndodhi ngjarja vuan nga mungesa e ndriçimit dhe e sinjalistikës adekuate, elementë që mund ta kenë bërë drejtimin e mjetit më të vështirë gjatë natës.

Sidoqoftë, për të përcaktuar me saktësi shkallën e ndikimit të secilit faktor, ekspertët po analizojnë dinamikën e rrokullisjes së mjetit.

Grupi hetimor do të vlerësojë me imtësi provat e mbledhura në vendin e ngjarjes, gjendjen mekanike të makinës, shpejtësinë e lëvizjes dhe rezultatet e testeve për prezencën e substancave alkoolike, për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie.

Lajmet e fundit