‘Një bank do jetë bosh, e shumë zemra do lotojnë…’ I jepet lamtumira e fundit Alvit, shkolla bënë dedikimin rrënqethës
Dhimbja për ikjen e parakohshme të adoleshentit Alvi Muhaxhiri nga Durrësi ka prekur thellë familjarët, shoqërinë dhe të njohurit e tij. Institucioni arsimor ku i riu ndiqte mësimin ka shprehur ngushëllimet e veta në prag të ceremonisë së lamtumirës.
Nëpërmjet një postimi mjaft emocional, gjimnazi “Leonik Tomeo” ka theksuar se largimi i hershëm i Alvit ka krijuar një mungesë të madhe si në ambjentet e shkollës, ashtu edhe në shpirtin e mësuesve e miqve të tij, duke shtuar se imazhi dhe gëzimi i tij do të vijojnë të mbeten të pranishme në institucion.
“Me hidhërim të thellë e zemër të thyer mësuam lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të nxënësit tonë të dashur Alvi Muhaxhiri.
Ikja e tij kaq e shpejtë la një boshllëk të madh në bankat e shkollës sonë dhe në zemrat e të gjithë mësuesve e shokëve të tij. Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve. Zoti ju dhëntë forcë për të përballuar këtë dhimbje të papërshkrueshme.
Kujtimi dhe buzëqeshja e tij do të mbeten përherë të gjalla në shkollën tonë. U prehtë në paqe shpirti yt Alvi!” është teksti i publikuar nga gjimnazi “Leonik Tomeo”.
Siç u raportua më herët, sot në mbrëmje, në orën 18:00, do të kryhen nderimet e fundit për 15-vjeçarin, i cili humbi jetën në aksidentin fatal që ndodhi në orët e para të ditës në Manzë. Nga po i njëjti aksident, jeta u pre në mes edhe për çiftin e sapomartuar, Kleo Vrioni dhe Sara Brugentelli, ndërsa 26-vjeçari Rejsi Vrioni dhe 16-vjeçari Klevis Dervishi po marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.

