Humbje e parakohshme në Dimal, ndahet nga jeta mësuesja 42-vjeçare Esmeralda Samza
Komuniteti i Dimalit është përfshirë nga hidhërimi pas ndarjes së papritur nga jeta të Esmeralda Samzës, 42-vjeçares që ushtronte profesionin e mësueses së Matematikës në shkollën “Muhamer Janina”. Njoftimi për këtë humbje të dhimbshme u përhap përmes një postimi zyrtar nga Zyra Vendore Arsimore e Dimalit, e cila përcolli atmosferën e rëndë të krijuar në qytet pas këtij lajmi të trishtë.
“Ndarja nga jeta e një mësueseje të re. Me dhimbje të thellë mësuam lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta, në moshën vetëm 42-vjeçare, të mësueses së Matematikës në Gjimnazin “Muhamer Janina”, Esmeralda Samza. Një humbje e madhe për familjen, kolegët, nxënësit dhe gjithë komunitetin arsimor të ZVA Dimal. Një jetë e re e ndërprerë shumë herët, duke lënë pas kujtime, dashuri dhe mirënjohje te të gjithë ata që e njohën. Në këto momente të vështira, ZVA Dimal shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit, kolegët dhe nxënësit e saj. U prehsh në paqe, Esmeralda! Kujtimi dhe kontributi yt do të mbeten gjatë në zemrat e nxënësve dhe kolegëve” shkruhet në postimin e ndarë ditën e sotme në faqen e ZVA-së së Dimalit. Lidhur me ritualin e lamtumirës, burime pranë newsbomb.al bëjnë me dije se përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet mesditën e së nesërmes në varrezat e Suelasit.
Ikja e saj e parakohshme ka lënë një boshllëk të pazëvendësueshëm te bashkëshorti Arjan, dy djemtë e saj, Antonio dhe Riani, si dhe tek të gjithë ata që patën fatin ta njihnin ndër vite. Shkaqet që çuan në këtë vdekje të papritur ende nuk janë bërë të ditura.
Stafi i newsbomb.al i bashkohet dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve për këtë humbje të madhe.

