Vala afrikane e të nxehtit, ja cilat janë qytetet ku temperaturat do të shënojnë rekorde këtë fundjavë

Te Fundit

Dita e diel do të jetë kulmi i temperaturave për këtë javë në Shqipëri, ku në disa rajone të vendit pritet që merkuri të ngjitet deri në 39°C.

Sipas parashikimeve të sinoptikanes Lajda Porja, qarku i Shkodrës do të jetë zona më e nxehtë, ndërsa në Elbasan, Gjirokastër dhe Berat temperaturat do të arrijnë në 38°C.

Në zonat bregdetare, termometri do të shënojë vlera midis 33 dhe 35°C, ndërsa pjesa më e madhe e ultësirës perëndimore do të karakterizohet nga vlera termike 36-37°C.

Kryeqyteti gjithashtu do të përballet me një fundjavë të stuhishme për nga nxehtësia. Edhe pse nuk parashikohen shira, kombinimi i lagështirës së lartë dhe vranësirave do ta bëjë temperaturën e ndjeshme në Tiranë të prekë kuotën e 40°C.

Kjo valë e nxehtë nuk do të jetë e përkohshme, pasi për gjithë dhjetëditëshin e fundit të gushtit pritet që ultësira perëndimore të ruajë vlera të ngjashme, rreth 36-37°C.

Në thelb, vendi ynë ndodhet nën ndikimin periferik të një mase ajrore afrikane që ka përfshirë prej ditësh Mesdheun.

Sa i përket reshjeve, ato do të jenë shumë të kufizuara dhe sporadike.

Gjatë këtij fundjavë, mund të ketë rrebeshe kalimtare në territore si Pogradec, Elbasan, Korçë, Librazhd, Ersekë, Tepelenë, Bilisht dhe Përmet.

Këto reshje, megjithatë, do të jenë shumë të shkurtra dhe do të prekin vetëm hapësira të lokalizuara. Ndërsa bregdeti do të gëzojë një mot kryesisht me diell, Tirana parashikohet të ketë paradite me kthjellime dhe pasdite me vranësira, por pa rrezik për reshje të konsiderueshme.

Sipas vlerësimeve të Porjes, deri në mbyllje të gushtit nuk priten ndryshime të rëndësishme në pasqyrën meteorologjike, me temperaturat që do të mbeten të larta dhe reshjet të përqendruara vetëm në relievet malore lindore.

Lajmet e fundit