Ndryshime në Top Channel: Filip Çakuli largohet nga Fiks Fare pas 24 vitesh

Te Fundit

Sezoni i ri televiziv në Top Channel do të vijë me një ndryshim të rëndësishëm, pasi autori, skenaristi dhe figura kyçe e emisionit investigativ “Fiks Fare”, Filip Çakuli, nuk do të jetë më pjesë e stafit. Pas gati një çerek shekulli, ai i njohur si themeluesi dhe “babai” i këtij formati, ia ka kaluar detyrën Antela Likës.

Historia e programit “Fiks Fare” filloi më 19 dhjetor 2002, duke u shndërruar shpejt në një nga emisionet më të ndjekura në vend, falë mbështetjes dhe besimit që Dritan Hoxha, themeluesi i Top Medias, i dha Çakulit për realizimin e këtij projekti.

Përpara se të merrte nën kontroll drejtimin e këtij emisioni, Çakuli kishte ndërtuar një karrierë të pasur në disa nga gazetat më të rëndësishme shqiptare. Atë ekspertizë profesionale ai e përcolli në “Fiks”, duke përdorur humorin si një mjet për të ironizuar dhe nxjerrë në pah problematikat sociale.

Përgjatë 24 viteve nën udhëheqjen e tij, emisioni ruajti një profil kritik dhe investigativ, duke u kthyer në një zë të fortë kundër korrupsionit, abuzimeve me detyrën nga ana e zyrtarëve, vjedhjeve dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Si drejtues, Çakuli la gjurmë të pashlyeshme duke transformuar humorin shqiptar, fakt ky që i dha edhe epitetin e “babait” të programit.

Pas dy dekadash e gjysmë angazhim intensiv editorial në krijimin e emisionit, shoqëruar edhe me detyra të rëndësishme në Këshillin Mbikëqyrës të shoqërisë “Top Channel”, Filip Çakuli i ka dhënë lamtumirën bashkëpunëtorëve të tij.

Lajmet e fundit