Rëndohet situata nga zj*rret/ Puka në rr*zik ekstrem, ja cfarë raportohet

Te Fundit

Sipas të dhënave të përditësuara nga Ministria e Mbrojtjes, përgjatë ditës së fundit në territor janë evidentuar gjithsej 32 vatra zjarri, ku 6 prej tyre paraqiten ende aktive, ndërsa 4 të tjera janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme.

Për menaxhimin e këtyre emergjencave, dje u angazhuan 726 persona dhe 44 automjete të shërbimit zjarrfikës, ndërkohë që Forcat e Armatosura kontribuan në këtë operacion me 270 efektivë, 5 mjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Në zonën e Gojan–Gjegjanit në Pukë, operacioni është intensifikuar dhe në terren po punojnë 190 forca, të përbëra nga 32 efektivë të MZSH-së me 7 automjete, 13 punonjës të pyjeve, 60 nga shërbimet vendore, 45 banorë vullnetarë dhe 40 efektivë të FA-së, të asistuar nga 1 eskavator, 1 mjet zjarrfikës dhe 2 helikopterë ushtarakë.

Për sa i përket Tenës në Mirditë, përpjekjet për shuarjen e flakëve vijojnë përmes 30 efektivëve të FA-së, mjeteve zjarrfikëse bashkiake e ushtarake, shërbimit pyjor dhe strukturave lokale, ku fatmirësisht nuk ka rrezik për banesat.

Në Dukat të Vlorës, vatra mbetet ende aktive, por me një intensitet të reduktuar, ndërsa sot po operojnë 77 forca, ku përfshihen 10 efektivë MZSH, 12 nga Njësia Administrative Orikum dhe 55 efektivë të FA-së, pa asnjë kërcënim për zonat e banuara.

Për sa i takon Malit të Dajtit në Tiranë, pjesa më e madhe e vatrave është vënë plotësisht në kontroll dhe 30 efektivë të FA-së po vijojnë ndërhyrjen në pikat e mbetura, sërish pa rrezikuar banesat.

Ndërkohë, në Bërshi të Klosit, erërat e forta kanë shkaktuar riaktivizimin e disa vatrave gjatë natës, pavarësisht se më herët ishin nën kontroll; aktualisht janë angazhuar 85 forca, përfshirë 30 efektivë të FA-së dhe mjete zjarrfikëse.

Në Shtuf të Mirditës, vatra vijon të jetë aktive dhe trupat po ndërhyjnë kudo ku terreni e lejon, pasi pjesët e thepisura e bëjnë përdorimin e mjeteve mekanike zjarrfikëse shumë të vështirë.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) po e monitoron gjendjen në të gjithë vendin pa ndërprerje, në bashkëpunim të ngushtë me pushtetin vendor dhe institucionet e tjera përkatëse. Të gjitha kapacitetet janë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë me përparësi maksimale në mbrojtjen e banesave, jetës së qytetarëve dhe pasurive të tyre.

Lajmet e fundit