Ish-miss Kosova, Drenusha Latifi, e ka denoncuar dje ish-bashkëshortin e saj, Atilla Kardesh, në Policinë e Kosovës.
Latifi ka raportuar në polici se ish-bashkëshorti vazhdimisht e shqetëson dhe e përcjell nga mbrapa, duke ngjallur tek ajo frikë dhe shqetësim.
Bazuar në dëshminë e 38-vjeçares, Kardesh e ka kërcënuar edhe me jetë, duke i thënë se do ta vrasë, gjë që ka shkaktuar shqetësime të mëdha tek ajo dhe për këtë është detyruar të kërkojë edhe ndihmë mjekësore.
Sinajli raporton se i dyshuari Atilla Kardesh është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit lidhur me rastin.
Atilla Kardesh’it iu është caktuar masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale.
“Viktima femër kosovare ka raportuar se në vazhdimësi është duke u shqetësuar nga ish bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar i cili sipas saj e ka kanosur me vrasje. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Kujtojmë se ish-çifti Drenusha dhe Atilla i dhanë fund lidhjes së tyre vitin e shkuar pas 10 vitesh martesë. Nga martesa e tyre ata kanë dy fëmijë të përbashkët, një vajzë dhe një djalë.